LEZHË- Punimet që po bëhen në qendër të qytetit të Lezhës kanë sjellë zbulimin e disa objekteve që mendohet se i përkasin antikitetit. Gërmimet për kanalizimet e reja të ujërave të bardha e të zeza zbuluan një urë dhe një mur që mendohet se i përkasin periudhës së antikitetit të vonë.
Këto gjetje të cilët konsiderohen si mjaft të rëndësishme kanë dalë në dritë në segmentin rrugor në afërsi të godinës së Prefekturës së Lezhës. Specialisti i Monumenteve të Kulturës, Dedë Margjoni thotë se punimet po kryhen në një zonë të ngarkuar me shtresa kulturore, ndaj dhe ato po ndiqen në mënyrë të pandërprerë prej tyre.

“Punimet tashmë kanë hyrë në një zonë të nxehtë arkeologjike e cila ka një nëntokë të pasur në këtë qytet. Gjatë gërmimeve të ditës së djeshme kanë dalë në dritë dy struktura murale të cilat po i studiojnë specialistët e Agjencisë Shqiptare të Arkeologjisë. Pas kësaj do të dërgohen në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë dhe do të merret një vendim se si do të procedohet më tej. Nuk mund të them saktësisht akoma se çfarë janë, por mund të them se kjo është një zonë me shtesa kulturore dhe vëmendja jonë është që në vazhdimësi të ndjekim punimet çdo ditë sidomos në pjesën afër Memorialit të Skënderbeut ku kalon muri fortifikues i qytetit të Lezhës. Unë mendoj se këto gjetje janë të periudhës të artikitetit të vonë, ndoshta romake ose bizantine”, tha Margjoni.

Në zonë kanë mbërritur menjëherë edhe specialistet e Agjencisë Shqiptare të Arkeologjisë të cilët po kryejnë edhe studimet për rastin në fjalë. Pas gjetjes së këtyre objekteve janë ndërprerë menjëherë punimet, ndërsa specialistët presin përfundimin e studimit për të dy zbulimet në fjalë. Një muaj më parë një mur tjetër antik doli në dritë gjatë punimeve në sheshin para Bashkisë së qytetit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb