Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish- presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani.

Kreu i qeverisë së Kosovës ka vlerësuar figurën e të ndjerit në fushën politike dhe atë ushtarake.
Një detaj i nënvizuar prej tij, ka qenë që ishte pikërisht ish presidenti Nishani ai që i ka dorëzuar Kurtit shtetësinë shqiptare.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.
Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo.

I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.

Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, ka shkruar Kurti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb