Muaj të tërë punë për të paguar jo vetëm taksat që shteti i kërkonte ligjërisht, por edhe ryshfetin për punonjësit e IKMT-së, të cilët e kërcënonin se nëse nuk jepte shumën e kërkuar nuk do t’i linin të punonin.

Sofie Doda dhe bashkëshorti i saj Foti Doda kanë rrëfyer për gazetarin Osman Stafa se kanë paguar nga 5 mijë deri në 7 mijë euro apo dhe më shumë dhe lekët i merrnin drejtuesit e IKMT.

Sofies dhe Fotit, persona me pushtet dhe para, po iu marrin me forcë vendin ku për vite kanë investuar miliona lekë. Në këtë histori çdo vit shfaqet IKMT, punonjësit e së cilës kërkojnë para për drejtoreshën, në mënyrë që të lënë të qetë pronarët të ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Duke ndërtuar në atë hapësirë në breg të detit, familja Doda kishte marrë të drejtën për të punuar me anë të kontratave vjetore. Kjo u shfrytëzua nga punonjësit e IKMT-së, të cilët iu shkonin çdo shtator dhe çdo pranverë dhe iu kërkonin para, për të mos u shembur objektet. Pagesat që ata kërkonin varionin nga 5 mijë euro, 7.500 euro, e më lart.

“Punoja, por çdo fund behari kisha probleme. Nuk e bëmë me leje, por na lanë dhe e bëmë. U bënë 50 ndërtime atëherë, nuk ishim të vetëm. Filluan pastaj dhe thoshin duhet të paguash kaq apo aq. Për ndërtimin pa leje mori edhe një dënim burri. Edhe të tjerët nuk ishin me leje. Vazhduam edhe në 2016 dhe 2017. E fituam gjyqin në gjykatën administrative. Pagesat që na kërkonin ishin 5 mijë euro, 7 mijë euro. Paratë i merrnin drejtuesit”.

“Në 2019 na vunë prapë gjobë. Atëherë erdhi një person Juli, që kërkoi 7500 euro. Ne nuk i kishim dhe nuk i dhamë. Na tha ‘nëse nuk jepen lekët, do prishet e gjitha’. Në shtator u mbyll. Në mars kur do niste sezoni i ri erdhi me një skrep të vogël. I thotë burrit ‘nëse nuk ke 5 mijë euro do prishet objekti’. I dhamë 3 mijë euro për të mos e prishur objektin dhe nuk e prishi. Për 2-3 ditë u pushua nga puna dhe ishte në kërkim’.

Ajo ndërtesë që familja Doda kishte ndërtuar u shemb në vitin 2021, pas shumë e shumë vitesh, pasi ajo ndërtesë ishte përdorur nga punonjësit e IKMT-së, si arsye për t’u zhvatur para pronarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb