Punëtorët po punojnë mes rrezikut të shpërthimeve të armatimeve që janë të shpërndara kudo dhe gati çdo ditë në zonë ka zjarre lokale në kapanonet e armatimeve.

Në emër të të gjithë punonjësve të Kombinatit Mekanik në Poliçan dhe duke respektuar distancës, një përfaqësi prej e tyre ka protestuar mesditën e sotme në qendër të qytetit.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se shkak për protestën është bërë mospagesa prej dy vjetësh e rrogave të 100 punëtorëve të këtij Kombinati Mekanik.

Abedin Çela, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Kombinatit Mekanik në Poliçan, ka deklaruar se prej 2-vjetësh nuk kanë marrë rrogat dhe janë të gjithë të zhytur në borxhe e në kredi.

Çela është shprehur se punonjësit kanë shkruar edhe në portalin e ankesave që ka hapur së fundmi kryeministri si dhe i janë drejtuar me disa shkresa zyrtare edhe Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk kanë marë asnjë përgjigje pozitive.

Fatos Hasa, punonjës prej 23-vjetësh në këtë Kombinat, shprehet se prej 2 vitesh e gjysëm nuk ka marrë asnjë rrogë. Hasa pohon se ata po trajtohen nga qeveria si një ndërmarrje bujqësore që duhet ta shesë prodhimin për të siguruar rrogat e punëtorëve, në një kohë kur aty prej vitesh është bërë demontimi i armëve luftarake.

“Unë punoj si magazinier dhe në repartet që kam në ngarkim kam mallin (armë e municione luftarake) të Ministrisë së Mbrojtjes që jam i detyruar t’i ruaj pa lekë”-thotë Hasa.

Një tjetër punonjës i këtij Kombinati, Mimi Zaimi shprehet se punonjësit e Kombinatit Mekanik në Poliçan, të një objekti të rëndësisë së veçantë ku ende edhe sot prodhohen “municione luftarake”, janë lënë në mëshirë të fatit.

Sipas tij, qeveria duhet të marrë masat e menjëhershme për të paguar këta punonjës që janë duke punuar ende në mes të rrezikut të shpërthimeve të armatimeve që janë të shpërndara kudo dhe gati çdo ditë në zonë ka zjarre lokale në kapanonet e armatimeve.

Kombinati Mekanik në Poliçan ka qenë një Uzinë Armatimesh Ushtarake që më pas u kthye në Kombinat demontimi të armëve luftarake dhe aktualisht sot në të prodhohen “municione luftarake”.

Njëqind punonjësit e Kombinatit Mekanik në Poliçan, të cilët prej 2-vjetësh nuk kanë marrë asnjë rrogë,tashmë jetojnë në varfëri totale dhe të zhytur në borxhe në dyqanet ushqimore, për të ushqyer familjet e tyre.

(d.xh/ Balkanweb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb