Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka dëgjuar nga afër shqetësimet e fermerëve të zonës së Pogradecit, të cilët nuk kursyen ankesat për qeverinë. Sipas tyre, ata nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti gjatë kësaj kohe, sidomos në kohë pandemie. Shqetësimi i tyre, si i të gjithë fermerëve shqiptar, ishte mungesa e tregut dhe e subvencioneve nga shteti që i ka lënë në haresë.

“Dërgova 20 arka me dardha në treg dhe i ktheva prapë, nuk u shitën. Nuk po shesim dot prodhimin. Na ka rënë prodhimi në tokë ka mbetur aty. Asnjë subvencion asnjë lloj gjëje nga shteti. Me 1 mijë lekë të vjetra e shisja edhe nuk e merrnin. Po me gjithë këto shpenzime që kemi me marrë ilaçe nuk dalin, ilaçet janë shumë të shtrenjta”- u shpreh një nga fermerët.

Një problematik tjetër për ta, është edhe nafta e cila është shumë e shtrenjtë. Ata si zgjidhje detyrohen të shkojnë në Maqedoninë fqinje të marrin naftën për të punuar tokat, pasi është shumë më e lirë se në Shqipëri.

“Shkojmë në Maqedoni që të marrim naftë sepse është shumë më e lirë se në Shqipëri. 1 mijë lekë është në Maqedoni, 1 mijë e 500 është këtu, edhe nuk e di është shumë, shumë e vështirë, jemi drejt falimentimet për çdo gjë”,- tha fermeri.

Mos shitja e prodhimeve për të nxjerr fitimet ua bën të pamundur pronarëve për të punësuar të rinjtë e zonës. Kjo gjë, për këta të fundit përkthehet në një arsye më tepër për t’u larguar në emigrim.
“Edhe të duash të gjesh punëtorë nuk gjen, se i ka marrë Greqia punëtorët. Çuna nga 30 vjeç e të mos punosh tokën tënde edhe të vesh të punosh tokën e grekut është turp ore”- u shpreh njëri i ri.
Basha u shpreh se qeverisja e Partisë Demokratike do të fokusohet te fermerët dhe nevojat e tyre. Ai tha se plani i PD-së mbështetet në tre shtylla kryesore, të cilat do t’i japin frymën e duhur bujqësisë në Shqipëri.

“E para, 100 milion euro do të keni në vit subvencione që do t’i jepen fermerit në bazë të prodhimit dhe do të jenë subvencione për të ulur koston e prodhimit, koston e pesticideve, koston e farërave, të imputeve bujqësore. E dyta, atë taksën që vuri Rama vit pas viti 240 lekë për liter, do ta heqim për të gjithë, për të gjithë. Dhe me subvencion do të synojmë që ju në veçanti fermerët t’ju ulet edhe më shumë çmimi i naftës. Është turp që ju të shkoni të blini naftën në Maqedoni. Dhe e treta që ju jap fjalën është që do të keni akses të lirë në treg. Nuk do keni tregje që i kontrollojnë monopolistët, që t’jua masin kokën me pe dhe për një arkë prodhim t’ju marrin më shumë sesa ju ka kushtuar ta rrisni në tokën tuaj. Këto tre gjëra që j’ua them sot, këto tre gjëra do të jenë shtyllat kryesore që do ta nxjerrin fshatin dhe bujqësinë shqiptare nga kriza”- tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb