Kandidati për deputet i PS-së në Shkodër, Benet Beci, i ftuar në emisionin “Front line” nga gazetarja Marsela Karapanço, deklaroi se forca ku aderon, vepron në interes kombëtar për zhvillimin.

Beci theksoi se me kryeministrin Rama ka bashkëpunuar në mënyrë të shkëlqyer, duke shtuar se kanë bërë një punë të rëndësishme në transformimin e qyteteve të Shqipërisë, nga veriu në jug.

“Kam punuar në sektorë të ndryshëm shtetëror. Ndihesh i përmbushur nëse shkon në nivel tjetër të vendim-marrjes. Unë politikën e kuptoj si mënyrë për të bërë akte transformuese të zhvillimit të Shkodrës dhe vendit. Rama kërkon të fokusohet në Shkodër dhe për të ndryshuar këtë qytet, siç ka ndodhur me mbarë Shqipërinë. Kemi punuar për rrugët rurale kryesisht, me kryeministrin Rama kemi zhvilluar projekte transformuese për qytetet shqiptare. Kemi pasur impakt institucional në transformimin e vendit. Veprojmë në interes kombëtar për zhvillimin”, tha Beci.

Duke folur për incidentin në zyrën elektorale të një force politike në Kavajë, Beci vlerësoi se raste të tilla uron që të jenë sa më të izoluara.

“Më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, shpresoj që të mos ketë pasoja. Urojmë që të kemi një proces të qetë të zgjedhjeve. Fushata ka qenë e qetë, urojmë që rastet e incidenteve të jenë të izoluara. Të ruajmë qetësinë për ngjarjen. Ngjarja është e rëndë dhe t’iu lëmë kohë autoriteteve, që të japin mendimin e tyre. Në Shkodër nuk kemi asnjë shqetësim, kemi pasur takime krejt normale, jemi pritur mirë nga qytetarët, sigurisht fushatë e veçantë për shkak të pandemisë. Urojmë që deri në fund të mos kemi probleme. Nuk mund të ngrihen akuza menjëherë në drejtim të një force politike. Mos të agravojnë situatën në këto nivele”, u shpreh Beci.

Po ashtu, Beci nënvizoi se menaxhimi i kaskadave në këtë periudhë ka qenë shumë i mirë.

“Janari dhe shkurti ishin periudhë e vështirë. Menaxhimi i kaskadës ka qenë mjaft i mirë. Ka pasur disa probleme të vogla. Nuk jam më drejtor i KESH, por besoj se KESH do të kontribuojë mirë me këtë gjendje që është. KESH ka realizuar detyrat e saj”, deklaroi Beci.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb