Melsi Vukaj është punonjës i forcave të armatosura. Prej tri vitesh ai endet dyerve të gjykatave, sepse nuk takon dot fëmijët e tij të mitur. Vukaj thotë se ata mbahen nga ish bashkëjetuesja e tij në kundërshtim me ligjin.

“Shqetësimi im është se nga data 8 korrik 2017, nuk po shikoj dot fëmijët e mi. Ato janë në trungun tim familjar, I kam me vendim gjykate, masë e përkohshme, sepse vendimi themelor ndodhet në apel”, tha Vukaj.

Babai i dy fëmijëve, tregon se përgjatë 36 muajve ka bërë disa kallëzime ndaj ish bashkëjetueses, por institucionet kanë mbyllur sytë për padrejtësinë që po i bëhet atij.

“Janë një sërë procesesh penale, sikundër kam bërë kallëzimë në Prokurori dhe në polici, por deri tani nuk ka asnjë veprim konkret nga ana e këtyre organeve”, u shpreh Vukaj.

Vukaj hedh akuza të rënda për institucionin e përmbarimit shtetëror që sipas tij refuzon të ekzekutojë vendimin e ndërmjetëm të gjykatës, duke I mohuar në këtë mënyrë të drejtën për të parë e fëmijët.

“Bllokada ndodhet tek Përmbarimi. E njëjta zyrë, dy përmbarues të ndryshëm, brenda një harku kohor jo më shumë se 2 a 3 javë në mos gaboj, marrin dy vendime të ndryshme, që janë në kundërshtim me njëra tjetrën”, deklaroi Vukaj.

Punonjësi I forcave të armatosura thekson se për situatën ka vënë në dijeni edhe ministren e drejtësisë, por sikurse shprehet s’ka marrë një përgjigje serioze prej saj. Melsi Vukaj bën thirrje SPAK të hedhë sytë tek rasti i tij.

“Nëse një autoritet nga SPAK-u dëgjon intervistën time, t’i hedhë një sy dosjes sime se do të kuptojë shumë sesi funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Ai thotë se nëse shteti nuk reagon, do të bëjë vetëgjyqësi, si e vetmja rrugë që I ka mbetur përballë kësaj bllokade.  Neës 24 kontaktoi për rastin në fjalë me Ministrinë e Drejtësisë, por nuk mori asnjë përgjigje për muaj me radhë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb