VLORE – Një punonjës i hidrovorit të Akërnisë, pasditen e djeshme ka rrezikuar seriozisht jetën, pasi teksa ishte duke punuar, ka rënë në një kanal me ujë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë mjetet e Delta-Forcë, të cilët pas disa përpjekjeve kanë mundur ta nxjerrin punëtorin nga uji.

Sipas raportimeve, mësohet se punonjësi Ali Dalipi ka qenë duke punuar në një hidrovor, i cili ndodhet pranë Novoselës, që është një prej zonave më të prekura nga përmbytjet e këtyre ditëve. Ai është dërguar me ambulancë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Një tjetër operacion është ndërmarrë nga Policia, Delta-Forcë, FNSH-ja dhe Ushtria me mjete lundruese, për të shpëtuar dhe 5 anëtarët e familjes së Avdul Aliajt, midis të cilëve dhe një fëmijë. Në një zdrukthëtari janë shpëtuar punonjësit e saj në fshatin Novoselë, ndërkohë që u ndërhy dhe në stanin e Vullnet Aliajt, për të shpëtuar atë dhe disa krerë dele. Operacione shpëtimi janë kryer edhe në Selenicë, pranë zonës së njohur si Bishti i Malit, ku është ndërhyrë për të shpëtuar një tjetër bari të bllokuar në stan, të quajtur Rrapo Tiko. Shtabi i emergjencave në Prefekturën e Vlorës është duke mbikëqyrur situatën për çdo rast rreziku, ndërkohë që është bllokuar rruga e vjetër Levan-Novoselë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb