TIRANE – Ngarkesa prej 460 kilogramë drogë e dyshuar për trafikim në Itali përmes avionit që ngeci në rërën e plazhit të Divjakës, në maj të vitit 2014, është zbuluar nga një punonjës i policisë kufitare. Endrit Pjetri, ish-shefi i seksionit të Policisë Kufitare të Divjakës, dëshmoi dje te Krimet e Rënda si ishte përballur me automjetin ku gjendej droga.

Ai dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj pilotit të avionit, italianit Xhorxho Riformato, të akuzuar për “trafikim të narkotikëve”. Dëshmitari tha se sasia e lëndës narkotike ishte pikasur në një automjet fuoristradë që po rimorkiohej në një karroatrec, në rrugën që të çonte në plazhin e Divjakës. Sipas tij, para se të konstatohej droga, drejtuesi i mjetit, i pandehuri Sajmir Bajrami, ishte larguar me vrap drejt pyllit, ku edhe u arrestua më vonë nga policia.

DËSHMIA
Para trupit gjykues dëshmitari Pjetri tha se në 10 maj 2014 kishte marrë dy informacione të njëpasnjëshme se një avion i vogël kishte ngecur në plazhin e Divjakës. “Mora një informacion që një avion i vogël, pasi kishte bërë disa xhiro mbi plazhin e Divjakës, kishte rënë në plazh. Vetëm pak çaste më vonë mora një tjetër informacion me të njëjtën përmbajtje. Kontaktova me një vartësin tim, inspektor, i cili ishte më pranë këtij vendi. I thashë të shkonte menjëherë në vendin ku u informuam për avionin. Rreth 10¬12 minuta më vonë më ka lajmëruar që ishte një avion i ndaluar në rërë, me njërin krah të takuar me rërën dhe një rrotë të këputur”, -tha dëshmitari.

Sipas tij, së bashku me një kolegun e tij, ai ishte nisur me urgjencë drejt vendit. Gjatë kësaj kohe ai kishte sinjalizuar sallën operative për rastin. Dëshmitari Pjetri tha se me iniciativën e tij kishte kontrolluar 2¬3 automjete që vinin nga rruga e plazhit, derisa kishte hasur automjetin e drogës. “U bëja kontroll të përgjithshëm. Verifikoja kartat e identitetit të personave në mjete dhe i hidhja një sy bagazhit”.

MAKINA E DROGES
“Më tutje pashë një automjet fuoristradë që po rimorkiohej në një karroatrec. Fillimisht i kaluam, por pas 10¬15 metrash u kthyem. Fuoristrada ishte me xhama të errët”, tha dëshmitari. Sipas tij, pasi kishin zbritur nga automjeti i tyre, i kishin kërkuar punonjësit të karroatrecit të ndalte veprimet. Kolegu i tij kishte shkuar te pjesa fundore e automjetit fuoristradë “Mitsubishi”.

“Nga xhami i errët kolegu dalloi që brenda në automjet kishte thasë dhe ma tha këtë fakt. Unë i kërkova drejtuesit të hapte derën, por në këtë moment, nga dera tjetër e përparme, doli një person, që iku me vrap drejt pyllit. Automjeti ishte me timon anglez, fakt që nuk e kuptuam nga xhamat e errët. Fillimisht u stepëm pasi nuk e dinim nëse kishte persona të tjerë në automjet apo në zonë. Një ngarkesë e tillë mund të sillte edhe surpriza”, tha dëshmitari. Pasi ishin siguruar se nuk kishte persona të tjerë në mjet, ata i kanë bërë një kontroll fizik punonjësit të karroatrecit.

“Konstatuam se nuk kishte asnjë send të jashtëligjshëm. Në kohën që po e kontrolloja, nga dera tjetër e automjetit zbriti një fëmijë i mitur duke qarë. Gati 10 minuta më vonë erdhi policia e Lushnjës. Më vonë erdhën edhe përforcime të tjera dhe u bë krehja e zonës, deri në gjetjen e të dyshuarit”, tha dëshmitari. Në seancën e djeshme dëshmoi edhe Florian Driza, drejtuesi i karroatrecit.

“Sajmir Bajrami, që nuk e njihja atëherë, erdhi te puna dhe më kërkoi shërbim karroatreci. Ishte një fuoristradë dhe i kishte dhënë probleme freksioni. Në momentin që po e rimorkioja, aty erdhi policia, ndërsa ky personi u largua me vrap në pyll. Nuk e kuptova pse”, tha dëshmitari.(panorama)

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: