Kujdesi ndaj klientit dhe komunikimi, si dhe etika e sjellja ndaj qytetarit,ishte në fokus të seancës së parë trajnuese për punonjësit e linjës së ofrimit të shërbimeve.
Punonjësit janë përzgjedhur nga institucione të ndryshme si: Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit.
E pranishme në seancën e parë të trajnimeve Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, e cila udhëheq Reformën në Administratën Publike si një prej 5 prioriteteve kyçe të qeverisë shqiptare në rrugëtimin europian të vendit tonë.
Në fjalën e saj, Mesi theksoi se këto trajnime janë një nga elementët bazë të asaj që qeveria shqiptare po bën, të ndërtojë “Administratën që duam” duke e ri-energjizuar dhe rivitalizuar atë në mënyrë që t’i përgjigjet nevojave aktuale të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, proceseve të integrimit dhe kërkesave në rritje të qytetarëve.
“Qytetarët janë ‘klientët’ tanë, pa ata nuk do të jetë asnjëri prej nesh këtu ku është, ndaj themeli i ofrimit të shërbimeve në administratën publike duhet të jetë pa diskutim qytetari. Duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm e të kuptojmë që neve na mbajnë në kurriz qytetarët, janë ata që na mbajnë këtu ku jemi dhe u detyrohemi atyre deri edhe rrogën tonë, ndaj vëmendja duhet të jetë tek përmirësimi i të gjithë proceseve të shërbimit ndaj tyre”, ndër të tjera u shpreh Zëvendëskryeministrja Mesi, teksa theksoi vendosmërinë dhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të transformuar njëherë e përgjithmonë kulturën e punës brenda administratës publike.
Trajnimet janë të përvitshme dhe do të organizohen brenda një harku kohor prej 4 muajsh në rreth 65 seksione të ndryshme e në 5 rajone të vendit: Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë dhe Elbasan. Në total, në trajnime do të përfshihen 1,532 punonjës, nga 18 institucionet kryesore shërbim-livruese të vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb