Deri më 15 mars punonjësit e Komisionit Europian kanë afat për të çinstaluar TikTok-un nga pajisjet e tyre (telefon, tablet, laptop) të koorporatës, por edhe në ato personale. Shkak është bërë shqetësimi për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave.

Eksperti i IT Tomi Kallanxhi shprehet se ky vendim është marrë pasi Kina ka akses për të influencuar politikat kineze, për të shantazhuar dhe manipuluar punonjësit, por vlen edhe për mbrojtjen nga sulmet kibernetike që vijnë nga rrjetet sociale.

“75% e pjesës vendimmarrëse është nga Kina, e cila mund ta përdorë këtë gjë për të influencuar dhe manipuluar ligje të caktuara brenda Bashkimit Europian. Mund ta përdorë gjithashtu për të shantazhuar politikanët, trupat diplomatike, duke u kontrolluar aksesin. Vendimi mund t’i paraprijë edhe sulmeve kibernetike, pasi influencohen individë të caktuar brenda institucioneve, shkohet në e-mail dhe hyjnë brenda serverave, siç ndodhi në Shqipëri me hakerimin”-shprehet Kallanxhi.

Kallanxhi tha se TikTok-u po përdoret nga të gjitha moshat në Shqipëri dhe është e pamundur kontrolli i tyre, duke vënë theksin edhe tek përdorimi i tij për përfitime ekonomike.

“Ka të rinj në TikTok që kanë bërë 200-300 mijë dollarë në muaj. Është një mundësi e mirë për t’i dhënë krah ekonomisë dixhitale të Shqipërisë, e cila është shumë e ngadaltë në krahasim me rajonin”, tha Kallanxhi.

Eksperti i IT shprehet se Shqipëria është ndër vendet e para në rajon dhe Europë për përdorimin e rrjeteve sociale. Nisur nga sulmet kibernetike, eksperti thotë se social media është vetëm maja e ajsbergut për daljen e te dhënave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb