Vetëm pak ditë më parë shqiptarët mësuan se gjendja shëndetësore e të sëmurëve me talasemi në Shqipëri nuk është aspak e mirë. Madje për pacientët në qytetin e Lushnjës gjendja ishte dëshpëruese, Shumë prej këtyre pacientëve ishin të detyruar të hiqnin shpretkën për shkak se mungesat e vazhdueshme në furnizimin me gjak kanë dëmtuar për pasojë këtë organ.

Kreu i shoqatës së talasemikëve, z.Musa Zeneli, raportoi për këta pacientë në komisionin parlamentar të shëndetësisë duke se, 80% e adoleshentëve e kanë Hemoglobinën nën 8-të, ndërkohë që ka shumë me Hemoglobinë në vlera edhe nën 7, 6, 5 apo edhe 4.

Mungesa e gjakut bëhet edhe më kritike në muajt e verës kur, të gjithë institucionet tërhiqen nga tregu i punës për pushimet verore dhe për pasojë dhurimet vullnetare bien. Muaji Gusht është muaji me rezervat më të pakta në Bankën e Gjakut – thonë specialistët.

Spitali Hygeia në asnjë vit nuk e ka anashkaluar nga vëmendja këtë situatë problematike të rezervave të gjakut. Mjekë, infermierë, mami dhe punonjës të administratës për të 7-in vit radhazi, u angazhuan për të dhuruar gjak, nën sloganin “Dhuro gjak, shpëto jetë”.

Falë bujarisë së stafit të spitalit “Hygeia”, Banka Kombëtare e Gjakut, e cila asistoi këtë proces, arriti të mbledhë një sasi të konsiderueshme gjaku, që do të shkojë për të ndihmuar jetët e pacientëve në nevojë për gjak.

Një njësi gjak me masë 400 ml në 6 muaj, nga cilido që e ndjen veten të shëndetshëm, do të ndihmonte shumë pacientët kronikë talasemikë që e kanë atë të barabartë me jetën. Ky proces sipas mjekëve ndihmon jo vetëm ata, por ndihmon edhe dhuruesit për të qenë me të shëndetshëm fizikisht. Solidariteti është virtyt i një shoqërie të emancipuar, ndaj nuk duhet të shfaqemi indiferentë për ata që kanë nevojë për gjak. Çdo dhurim është i barabartë me një jetë. Ata presin çdo ditë nga të gjithë NE.

Drejtuesit e spitalit Hygeia falënderojnë të gjithë punonjësit e tyre, që u bënë pjesë e kësaj nisme humanitare, ndërsa premtojnë se do të vazhdojnë në angazhimin e tyre për organizime të tilla më të shpeshta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb