TIRANE – Gazeta britanike “The Telegraph” rendit Shqipërinë në mesin e 20 destinacioneve për të kaluar pushimet. Sipas kësaj gazete, Shqipëria e shtrirë përgjatë detit Adriatik, me një histori të mahnitshme dhe vetëm disa turistë kureshtare, është gati për t’u eksploruar në vitin 2015.
Gazetarja Caroline Shearing shkruan se “ky vend ish-komunist, i paarritshëm për shumicën e shekullit 20 për shumë persona, por jo për udhëtarët kureshtarë, mbetet ndër vendet më pak të eksploruara dhe, siç do të mendonin të gjithë, më i keqkuptuari në vendet e Ballkanit. Më shumë se 20 vite pas rënies së regjimit komunist, turizmi në këtë vend mbetet akoma i pashfrytëzuar. Përveç bregdetit, bukuritë shqiptare përfshijnë fshatrat e periudhës osmane, peizazhe të bukura, thesare arkeologjike, fauna të zhvilluar dhe në zonat e saj rurale mund të shohësh një bujqësi që nuk ka ndryshuar për shekuj me radhë”.

“Në një udhëtim të kohët të fundit në Sarandë me bëri përshtypje fakti që ky vend është në një udhëkryq turistik. Ka një dëshirë të zjarrtë për ndërtime, të cilat në vetëm 20 vitet e fundit e kanë kthyer Sarandën nga një fshat i vogël bregdetar me shtëpi prej guri, në një qytet modern me hotele shumëkatëshe dhe apartamente.  Duke marrë parasysh vendndodhjen e Shqipërisë në brigjet e Adriatikut, mes Greqisë dhe Malit të Zi, ngrihet pyetja, edhe sa do të vazhdojë bregdeti i këtij vendi të mbetet i paeksploruar. Pra, me disa paketa të reja për vitin 2015, ka ardhur koha të shkojmë në Shqipëri. Ky vend ju garanton një pritje të ngrohtë gjithashtu. Kur një kamarier në një restorant në Sarandë dëgjoi theksin tim anglez, tavolinës time po i bëhej një trajtim prej VIP-ash, gjë që tërhoqi vëmendjen e klientëve të tjerë.”- shkruan Shearing.

“Gjatë një udhëtimi në mal, ndalova ne anë të një rruge me pluhur. Gra me shami shumëngjyrëshe në kokë filluan të nxirrnin kokat në dritare dhe të më buzëqeshnin me ngrohtësi.  “Angleze?” Menjëherë më drejtuan në atë që dikur kishte qenë shtëpia më e madhe dhe e mirë në fshat, që tani ishte një rrënojë, ku pashë një grua të moshuar që kujdesej me shumë dashuri për kopshtin e saj të mbjellë me perime. Sapo më pa, ajo zgjodhi një domate të madhe që kur e provoje ishte e ëmbël, e pjekur dhe tipike Shqiptare”.

(news24/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb