Nga: ROLAND KETA *
Demokracia vendore është në udhëkryq. Njësitë vendore dhe në mënyrë të veçantë qarqet dhe komunat
janë në krizë fi nancimi dhe si rrjedhojë, krizë menaxhimi dhe mosshërbim ndaj qytetarëve shqiptarë. Njësitë vendore nuk mund të kryejnë detyrimet ligjore që ua jep ligji i Qeverisjes Vendore i vitit 2000. Kjo mendoj ka ndodhur si rezultat i centralizimit të pushtetit vendor dhe ka filluar që nga dhjetori i 2013-ës, ku qeveria ndërhyri direkt dhe negativisht në buxhetet dhe performancën fiskale të njësive vendore. Në paketën fiskale të buxhetit 2014, ajo i hoqi çdo bashkie e komune të drejtën e mbledhjes së taksës së biznesit të vogël, duke ua transferuar këtë kompetencë drejtorive tatimore të pushtetit qendror. Ky cenim i autonomisë vendore bëri që të ardhurat nga kjo taksë për vitin 2014 të jenë 13.5% më të ulëta se të vitit 2013, ose 266 milionë lekë më pak. Në vitin 2014 qeveria “Rama” ndërhyri në menaxhimin e territorit, duke u hequr KRT-ve të bashkive e komunave të drejtën e lejeve të ndërtimit, që solli një frenim të zhvillimit të bizneseve të ndërtimit, uljes së taksave nga përqindja që merrte pushteti vendor dhe si rezultat, të gjitha njësitë vendore kanë më pak investime në kopshte, shkolla, ujësjellësa, rrugë. Këtë ligj e hodhi poshtë edhe Gjykata Kushtetuese. Autonomia vendore është në krizë, kjo ndodhi edhe në buxhetin e 2015, duke ulur transfertën e pakushtëzuar nga 9-29%, ose 14% më pak se një vit më parë. Dhe çfarë po ndodh në janar të 2015?
-Duke vazhduar uljen e transfertës së pakushtëzuar, të gjitha komunave të Shqipërisë deri në 40% dhe duke e ndarë këtë transfertë mujore. Kjo është e kundraligjshme, sepse në buxhetet e njësive vendore pasi miratohen nga këshillat, nuk kanë të drejtë të ndërhyjë pushteti qendror.
Sot komunat kanë të drejtë vetëm për të marrë pagat, pasi qeveria ka ndërhyrë direkt në politikat dhe menaxhimin financiar të njësive vendore. Është e padrejtë dhe jokushtetuese, ndërprerja e shërbimeve ndaj qytetareve të njësive vendore 6 muaj para zgjedhjeve vendore.
Qeverisja vendore është mandatuar nga populli për të shërbyer në mandatin 2011-qershor 2015.
Sot bashkive dhe komunave iu hiqet renta minerare, nga 25% në 5%, ku këtë të drejtë ua jep ligji minerar. Unë jam deputet i Bulqizës dhe nga kjo ulje e rentës, Bashkia Bulqizë humb 30 milionë lekë të reja në vit. Komuna Krastë 15 milionë, Komuna Zerqan 7-10 milionë lekë. Dhe, këto humbje në buxhet i kanë shumë njësi vendore në veri dhe jug. Mendoni se sa shërbime e investime do realizoheshin në këto qytete. Demokracia është në udhëkryq, pakkush merret me përmirësimin e sistemit të qeverisjes vendore, me rritjen e shkallës së demokracisë. Është hequr e drejta e qytetarëve në vendimmarrje. Sot ekziston “karta europiane e autonomisë vendore”, e ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar në nëntor të vitit 1999, e ratifikuar nga 47 shtete anëtare të Këshillit të Europës. Autonomia vendore zhvillon vendin. Kjo krizë e komunave i bëri ato të paafta të menaxhojnë edhe përmbytjet e komunave të jugut, sepse ato nuk kanë buxhet për të përballuar emergjencat, ndërkohë që e kanë detyrim ligjor shërbimin ndaj këtyre situatave në bazë të ligjit të emergjencave civile dhe ligjit 8652 të vitit 2000. Kjo ndërhyrje që bën qeveria në njësitë vendore i ka bërë ato inkompetente dhe të paafta t’u shërbejnë qytetarëve. Pa autonomi vendore nuk ka zhvillim ekonomiko-social të qytetarëve shqiptarë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: