Drejtori i inteligjencës ushtarake franceze është detyruar të tërhiqet pas pretendimeve se agjencia e tij nuk ka mundur të parashikojë pushtimin rus të Ukrainës.

Gjenerali Éric Vidaud u rrëzua për sigurimin e “informacioneve të pamjaftueshme” dhe shfaqjen e “mungesës së kontrollit të inforacionit” në detyrën e tij, sipas një burimi në ministrinë e Forcave të Armatosura në Paris.

Shërbimet franceze të inteligjencës ishin tashmë nën kritika teksa hodhën poshtë pretendimet e homologëve të tyre britanikë dhe amerikanë gjatë dimrit se Rusia po përgatitej të sulmonte Ukrainën.

Në fillim të shkurtit, një zyrtar francez i tha The Times: “Ne kemi të njëjtën inteligjencë [si britanikët dhe amerikanët], por ne nuk po e interpretojmë atë në të njëjtën mënyrë.”

Agjencitë franceze informuan presidentin Macron se grumbullimi i më shumë se 100,000 trupave ruse rreth kufirit ukrainas në dimër ishte krijuar për të ushtruar presion mbi Presidentin Zelensky.

Ata sugjeruan që presidenti Putin do të tërhiqte trupat pa sulmuar, ashtu siç kishte bërë një vit më parë.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po thoshte se Putini planifikonte të pushtonte, me Londrën në të njëjtën gjatësi vale.

Gjenerali Thierry Burkhard, 57 vjeç, shefi i shtabit të mbrojtjes, pranoi dështimet e francezëve në një intervistë me Le Monde pas fillimit të luftës.

“Amerikanët thanë se rusët do të sulmonin. Agjencitë tona më tepër menduan se pushtimi i Ukrainës do të përfshinte një kosto monstruoze [për Rusinë] dhe se rusët kishin mundësi të tjera”.

Le Monde tha se pjesërisht si rezultat i inteligjencës së dobët, francezët, ndryshe nga britanikët dhe amerikanët, nuk kishin ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën në prag të luftës.

Gazeta shtoi se mosbesimi francez ndaj inteligjencës amerikane daton që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003, të cilin Uashingtoni e akuzoi gabimisht se kishte armë të shkatërrimit në masë.

Në ditët para pushtimit të Ukrainës, Macron vazhdoi të pretendonte se Putini mund të mos sulmonte, duke udhëtuar në Moskë për bisedime me të, përpara se të fluturonte për në Kiev për të takuar Zelenskyn. Më 21 shkurt, presidenca franceze njoftoi një marrëveshje për një samit që përfshin Putin dhe Presidentin Biden. Vetëm disa orë më vonë, plani u rrëzua pasi Putin tha se po njihte pavarësinë e rajoneve separatiste të Ukrainës.

Vidaud u emërua vetëm shtatë muaj më parë. Ai më parë kishte qenë drejtor i Qendrës së Komandës së Operacioneve Speciale. I informuar se do të humbiste punën këtë verë, ai zgjodhi të largohej duke dhënë dorëheqjen e menjëhershme, sipas mediave franceze.

Një burim sugjeroi se ishte e padrejtë të fajësohej ai për dështimin për të parashikuar luftën. Burimi tha se agjencia e tij kishte për qëllim të jepte informacion mbi operacionet ushtarake, jo mbi “synimet” e fuqive të huaja.

Burimi tha se Vidaud e kishte informuar Macron se grumbullimi i trupave ruse i kishte dhënë Putinit “mjetet për të pushtuar Ukrainën. Ai u tregua se kishte të drejtë.”

Burimi shtoi se agjencia e inteligjencës ushtarake ishte duke u riorganizuar dhe tha se largimi i Vidaud ishte “jo tërësisht” pasojë e luftës në Ukrainë.

“Është gjithashtu një çështje e riorganizimit të shërbimit.”

Agjencia e inteligjencës ushtarake është vetëm një pjesë e vogël e rrjetit francez të spiunazhit. “Direction Générale de la Sécurité Extérieure”, ekuivalenti i MI6, është më i fuqishëm, por ka qëndruar jashtë grindjes për dështimin francez për të parashikuar luftën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: