Presidenti amerikan, Joe Biden do të zhvillojë një video-thirrje me aleatët evropianë më vonë gjatë ditës së hënë, për të diskutuar krizën rreth Ukrainës. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pushtimi rus mund të ndodhë “çdo çast”. Liderët pritet të diskutojnë përgjigjen e tyre ndaj trupave që ka pozicionuar Rusia në kufi me Ukrainën.

Moska vazhdon të mohojë se është duke u përgatitur për aksion ushtarak. Administrata e presidentit Biden u ka kërkuar familjarëve të stafit të ambasadës amerikane në Ukrainë që të largohen nga ky shtet.

Ukraina e ka konsideruar vendimin “të parakohshëm”. Në thirrjen e Bidenit do të marrin pjesë, kryeministri britanik, Boris Johnson, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri italian, Mario Draghi, presidenti polak, Andrzej Duda dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Edhe liderët e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel do të marrin pjesë në video-thirrje.

Kryeministri britanik ka paralajmëruar se inteligjenca sugjeron se Rusia është duke planifikuar një sulm rrufe në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. “Ne duhet t’ia bëjmë të qartë Kremlinit se një hap i tillë do të ishte shkatërrues”. Edhe Mbretëria e Bashkuar ka nisur që të tërheqë një pjesë të stafit nga ambasda në Ukrainë. Sipas raportimeve të mediave amerikane, New York Times dhe CNN, Shtetet e Bashkuara janë duke menduar për angazhim të 1,000 – 5,000 trupave në lindje të Ukrainës dhe në shtetet baltike, për të luftuar pozicionimin e trupave ruse.

Vendet anëtare të NATO-s, duke përfshirë Danimarkën, Spanjën, Bullgarinë dhe Holandën, veçse janë duke dërguar më shumë aeroplanë luftarakë dhe anije luftarake në lindje të Evropës, për të rritur mbrojtjen në rajon. Kur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka takuar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov javën e kaluar, Rusia ka thënë se shpreson që “emocionet do të ulen”.

Megjithatë, në takimet diplomatike nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë kërcënuar Rusinë me sanksione të reja ekonomike nëse vepron kundër Ukrainës. Kremlini ka thënë se e sheh NATO-n si kërcënim për sigurinë dhe kërkon garanci ligjore se aleanca nuk do të zgjerohet në lindje. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka hedhur poshtë kërkesat e Rusisë për veto dhe ka thënë se aleanca e mbron të drejtën “që secili komb të vendosë vetë për aleancat e veta”.

Rusia ka pushtuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014. Rebelët e përkrahur nga Rusia kontrollojnë edhe lindjen e Ukrainës afër kufijve të Rusisë. Si pasojë e konfliktit në këtë zonë kanë vdekur rreth 14,000 persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: