Oficerët rusë dhe bashkëpunëtorët e trupave ruse po largohen nga rajoni i Khersonit nën justifikimin e një ‘evakuimi civil’ ndërsa ushtria ukrainase po përparon drejt zonës, raporton britanikja Daily Mail.

Ushtria ukrainase ka vendosur të çlirojë Kherson, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, nga forcat e Vladimir Putin, i cili e aneksoi rajonin vetëm pak javë më parë së bashku me 3 rajonet e tjera.

Rusia ka shpallur evakuimin e civilëve për t’i dërguar ata në Rusi, por civilët që jetojnë atje thonë se nuk janë ata personat që po evakuohen.

“Rreth 1000 njerëz raportohet se po largohen çdo ditë, ku kryesisht janë familjet e oficerëve rusë, familjet e zyrtarëve rusë dhe bashkëpunëtorët që ndihmuan në organizimin e referendumit,” tha një aktivist dhe organizator lokal me bazë në Kherson, duke folur për Sky News.

“Për shkak të situatës së tensionuar në front, rrezikut të shtuar të bombardimeve masive të qytetit dhe kërcënimit të sulmeve terroriste, të gjithë civilët duhet të largohen menjëherë nga qyteti dhe të kalojnë në bregun lindor të lumit Dnipro”, njoftuan autoritetet ruse në aplikacionin Telegram.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: