Ish-Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, është shfaqur i armatosur në rrugët e Kievit. Më një kallashnikov në dorë, ai u shpreh për CNN se ukrainasit janë gati për të mbrojtur vendin e tyre.

“Të gjithë duhet të kuptojnë, Putin shpalli një luftë jo për Ukrainën. Putin i shpalli luftë të gjithë botës,” tha ai.

Ai e quajti presidentin rus “thjesht të çmendur”.

Poroshenko tha se batalioni i tij është rreth dy deri në tre kilometra (rreth 1.5 milje) nga luftimet midis ushtarëve rusë dhe ukrainas.

Më tej u shpreh se Ukraina ka nevojë për ndihmën e Perëndimit, duke përfshirë sanksionet, largimin e Rusisë nga SWIFT – një rrjet mesazhesh të sigurisë së lartë që lidh mijëra institucione financiare në mbarë botën – dhe bllokimin e avionëve dhe anijeve ruse në portet e BE-së dhe NATO-s.

Poroshenko falënderoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar për sigurimin e armëve mbrojtëse.

“Kjo është e rëndësishme për ne që të ndjejmë se nuk jemi vetëm, se ju jeni bashkë me ne”, tha ai.

Ish-presidenti tha se Putin nuk do ta pushtojë kurrë Ukrainën.

“Pavarësisht se sa ushtarë vret, sa raketa ka, sa armë bërthamore ka, ne ukrainasit jemi njerëz të lirë me një të ardhme të madhe evropiane,” tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb