Ukraina ka paralajmëruar se Rusia mund të nisë një ofensivë të madhe në janar ose shkurt.

“Forcat ruse mund të jenë të afta të nisin një ofensivë të madhe në Ukrainë deri në fund të janarit ose shkurtit, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme dhe problemeve ushtarake. Moska po përgatitet të kryejë një ofensivë të madhe në fillim të vitit 2023 ndërsa vazhdon të sulmojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Unë mendoj se aftësia ruse për të kryer një ofensivë, ndoshta një ofensivë të madhe, mund të rikthehet diku nga fundi i janarit, shkurtit. Dhe ne, natyrisht, bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar që kjo të ndodhë”, tha sot ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, duke folur me gazetarët nga një strehë për bomba në qendër të Kievit.

Ministri Kuleba shtoi se Rusia ende shpreson se do të jenë në gjendje të avancojë më thellë në Ukrainë, duke e arsyetuar këtë me shtimin e rekrutimeve dhe lëvizjen e armëve të rënda në ë gjithë vendin.

Ai tha se qëllimet e Vladimir Putin nuk kishin ndryshuar që kur ai urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën në shkurt dhe u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të mos dëgjojnë “deklaratat boshe” të Kremlinit.

“Askush nuk duhet të mashtrohet. Rusia nuk i ka ndryshuar ultimatumet e saj dhe ende dëshiron të pushtojë të gjithë Ukrainën. Ajo që ata duan tani nuk është paqe, por një pauzë në agresion për ta vazhduar më vonë. Ne nuk do ta luajmë këtë lojë. Shqetësimi i menjëhershëm i Ukrainës ishte rikthimi i energjisë elektrike në të gjithë vendin pas valëve të sulmeve me raketa ruse në infrastrukturë që synonin të shkatërronin sistemin energjetik të Ukrainës dhe të linin miliona njerëz pa akses në energji, ujë dhe ngrohje në mes të temperaturave të ulëta dhe ngricave të dimrit. Putin shpreson se pa energji, ujë dhe ngrohje, ukrainasit do të pushojnë së rezistuari dhe do të pranojnë ultimatumet ruse, por ky është një llogaritje e gabuar e rëndë. Terrori raketor rus nuk do ta shkatërrojë Ukrainën”, tha Kuleba. 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb