TURQI – Përmes një dokumenti që përmban 9 pika, dedikuar luftës kundër terrorizmit, shtetet e G20-ës janë angazhuar që të godasin financuesit e Shtetit Islamik.
Ndër masat që do të ndërmerren është bllokimi i të ashtuquajturve “foreign fighters”, luftëtarët e huaj, dhe pengimi i propagandës së ISIS-it në Web.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se ISIS financohet nga 40 vende, përfshirë edhe ato të G20-ës.
“Kemi raste bazuar në të dhënat tona. Njësi të ISIS financohen privatisht nga disa individë. Paratë vijnë nga 40 vende dhe në disa raste nga G20”- deklaroi Putin.

Ndërkohë presidenti amerikan Barack Obama theksoi se shkatërrimi i organizatës barbare është ultimatum. Shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se sulmet ajrore kundër ISIS janë intensifikuar.

“Të bashkuar kundër këtij kërcënimi. G20 ra dakord për të ndihmuar më shumë sirianët. Të ndërpresim burimet e financimeve ndaj ISIS. Ultimatum, të shkatërrojmë organizatën barbare. ISIS është fytyra e djallit.”- deklaroi Obama.

Liderët e 20 vendeve nënvizojnë rëndësinë e marrjes së masave për të penguar terroristët që të përdorin teknologjinë për të frymëzuar apo kryer akte dhune. Gjatë samitit të G20 u theksua se terrorizmi nuk mund të lidhet me asnjë besim fetar, nacionalitet, civilizim apo grup etnik.

“Sulme si ato të 13 nëntorit në Paris nuk mund të justifikohen në asnjë formë. Ky duhet të jetë prioritet për të gjitha vendet. Terrorizmi duhet të përballohet përmes një pune të përbashkët.”- theksojnë liderët e G20-ës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: