Në një kohë kur dështimet e ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë janë zbuluar para syve të botës, Moska po bën gjithçka që është e mundur që të ndryshojë rrjedhën e agresionit.
shërbimet e inteligjencës britanike, kanë bërë me dije se Kremlini ka pezulluar komandantët e lartë për performancën e tyre të dobët gjatë pushtimit të Ukrainës në mes të një kulture në zhvillim të “të bërit kurban”.

“Gjeneral-lejtnant Serhiy Kisel, i cili komandonte Ushtrinë elitë të Tankeve të Gardës së Parë, është pezulluar për dështimin e tij në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Zv/admirali Igor Osipov, i cili komandonte flotën ruse të Detit të Zi, gjithashtu “ka gjasa” të jetë pezulluar pas fundosjes së Moskës në prill, konfirmuan zyrtarët.Gjenerali Valery Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm, ka të ngjarë të mbetet në post, tha inteligjenca, megjithëse është e paqartë nëse ai “ruan besimin e Presidentit Putin”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Më herët gjatë javës, një burim ushtarak perëndimor tha se Gerasimov dhe Putin besohej se po merrnin vendime taktike të nivelit të ulët të llojit të vendosur normalisht nga një kolonel ose brigadier.

“Në javët e fundit, Rusia ka shkarkuar komandantë të lartë të cilët konsiderohen se kanë performuar dobët gjatë fazave të hapjes së pushtimit të saj në Ukrainë. Një kulturë mbulimi dhe kok turku është ndoshta e përhapur brenda sistemit ushtarak dhe të sigurisë ruse. Një kulturë e tillë mund të ketë një ndikim në aftësinë e Rusisë për të luftuar”, njoftoi kjo ministri.

Më tej raportohet se shumë zyrtarë të përfshirë në pushtimin e Ukrainës ka gjasa të shpërqendrohen gjithnjë e më shumë nga përpjekjet për të shmangur fajin personal për pengesat operacionale të Rusisë.

“Kjo ka të ngjarë të vendosë tendosje të mëtejshme në modelin e centralizuar të komandës dhe kontrollit të Rusisë, pasi oficerët gjithnjë e më shumë kërkojnë t’ua shtyjnë vendimet kyçe eprorëve të tyre. Do të jetë e vështirë për Rusinë të rimarrë iniciativën në këto kushte”, shtoi ministria.

Ukrainasit pretenduan në prill se Kisel ishte shkarkuar nga posti i tij, të cilin ai e kishte mbajtur që nga prilli 2018, më 25 mars për pavendosmërinë dhe frikacakërinë e tij kur komandonte njësitë ruse në rajonin e Sumy dhe Kharkiv. Mediat ruse thanë se ai fitoi përvojë luftarake në Luftën e Parë dhe të Dytë çeçene dhe në luftën ruso-gjeorgjiane të vitit 2008.

Udhëheqësit ushtarakë rusë janë kritikuar gjithashtu në perëndim për trajtimin e ushtarëve nën komandën e tyre dhe dështimin për t’i përgatitur ata për luftë.

Ndërkohë, zyrtarët e mbrojtjes amerikane thanë se Rusia dukej se po zvogëlonte ambiciet e saj, me ofensivat duke u bërë më të vogla dhe më të lokalizuara. Një zyrtar tha se ata po shihnin një “tkurrje të ofensivave dhe qëllimeve të tyre” dhe ata po përdornin njësi më të vogla. Përparimi i përgjithshëm rus është “mjaft i kufizuar”, me trupa që përparojnë ndoshta disa milje çdo ditë”, tha një zyrtar amerikan.

Zyrtari shtoi se forcat ukrainase vazhduan të shmangin forcat ruse në verilindje të Kharkiv, qyteti i dytë më i madh, me disa forca të shtyra në rreth 2 milje nga kufiri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb