Me një lëvizje surprizë të minutave të fundit, Turqia e drejtuar nga Rexhep Tayyip Erdogan i ka dhënë një goditje të fortë NATO-s, duke dalë kundër anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancë.

Sipas medias italiane TGcom, Ankaraja zyrtare mund të vendosë veton në lidhje me çështjen, teksa në qarqe të ngushta ky vendim pretendohet të justifikohet duke thënë: “nuk duhet të bëjmë një gabim tjetër siç ishte hyrja e Greqisë në NATO”. “Pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ishte një “gabim” si ai i hyrjes së Greqisë në Aleancën Atlantike”, ka thënë Erdogan në një prononcim për mediat. Udhëheqësi turk u tha gazetarëve se “ai nuk dëshiron të përsëris të njëjtin gabim”, madje duke akuzuar Stokholmin dhe Helsinkin “për pritjen e terroristëve të PKK”, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

“Ne nuk kemi një opinion pozitiv”, këmbënguli Presidenti i Turqisë. Ndërkohë procedura e anëtarësimit në NATO, është e tillë që një vend duhet të autorizohet nga Parlamenti i tij përpara se të paraqesë aplikimin zyrtar. Përveçse duhet të jesh shtet në Evropë, ka edhe disa kërkesa politike dhe sociale që duhen paraqitur si provë e të qenit një demokraci e lirë, kushte të cilat Suedia e Finlanda i përmbushin, por pranimi në NATO është subjekt i dritës jeshile nga të gjitha vendet anëtare, siç thuhet në nenin 10 të statutit.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: