Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vizitoi dje Lubjanën ku bashkë me homologun e tij slloven, Borut Pahor, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të memorialit në nder të ushtarëve rusë dhe sovjetikë të rënë në territorin e Sllovenisë gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore. Dy presidentët kryen homazhe për nder të heronjve rusë dhe vendosën kurorë me lule pranë monumentit.

Në fjalën e tij Presidenti Putin pohoi që Moska dhe Lubjana mbajnë të njëjtin qëndrim kundër përpjekjeve për të rishkruar historinë, dhe do të vazhdojnë të punojnë bashkë për të forcuar sigurinë evropiane dhe globale. Sipas liderit rus, memoriali do të pasqyrojë qasjen e përbashkët parimore të dy vendeve për të parandaluar shtrembërimin dhe rishikimin e historisë.

“Do të vijojmë punën e përbashkët edukative, para së gjithash me të rinjtë, jo vetëm për të ruajtur kujtimin e tmerreve të luftës, por edhe për të konsoliduar mirëkuptimin, besimin dhe sigurinë në Evropë dhe në botë”, u shpreh Putini.

Mbishkrimi i vendosur në memorial lexon: “Bijve të Rusisë dhe të Bashkimit Sovjetik të rënë në tokën sllovene gjatë Luftërave të Parë dhe të Dytë Botërore”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: