Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar sot një ligj të ri i cili parashikon se trupat ruse që refuzojnë të luftojnë, dezertojnë, nuk i binden ose dorëzohen armikut, tani mund të përballen me një dënim deri në 10 vite burg.

Ligji u miratua nga dhomat e parlamentit në fillim të kësaj jave, por është nënshkruar nga lideri rus vetëm sot.

Miratimi i ligjit vjen në vazhdën e masave të marra nga Kremlini për zbutjen e humbjeve të pësuara në front, ndërkohë që ushtria ukrainase ka çliruar zonë të tëra të cilat ishin nën kontrollin e ushtrisë së Putinit.

Pak më parë, Kremlini bëri me dije se zëvendës ministri i Mbrojtjes, gjenerali Dmitry Bulgakov është liruar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar gjeneralkoloneli Mikhail Mizintsev.

“Gjenerali i ushtrisë Dmitry Bulgakov është liruar nga posti i zëvendësministrit të Mbrojtjes dhe do të zëvendësohet nga gjeneralkoloneli Mikhail Mizintsev”, tha Ministria e Mbrojtjes në një postim në Telegram.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb