Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka akuzuar Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se po përdor taktika barbare kundër civilëve ukrainas. Johnson e ka bërë këtë deklaratë gjatë një konference shtypi në Barshavë, me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki.

Në fjalën e tij, kryeministri Johnson ka deklaruar se “tragjedia” që Britania e Madhe dhe vendet e tjera parashikuan tani ka ndodhur me pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin, dhe kjo sipas tij, është më e keqe nga sa pritej. Ai e quan luftën një fatkeqësi të shpalosur në kontinentin evropian.

Johnson ka shtuar se “është e qartë se Putini është i përgatitur të përdorë taktika barbare dhe pa dallim kundër civilëve të pafajshëm, për të bombarduar me raketa blloqe pallatesh, duke vrarë edhe fëmijë. Kryeministri Johnson ndodhet në Poloni për t’u takuar me aleatët kryesorë evropian për të diskutuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ndërkohë, gjatë konferencës me homologun polak, kryeministri Johnson paralajmëroi të tjera sanksione ndaj Rusisë.

Johnson është shprehur se Putin ka nënvlerësuar “unitetin dhe vendosmërinë e Perëndimit”, duke shtuar se Britania e Madhe do të vazhdojë “presionin ekonomik” mbi Rusinë përmes sanksioneve. “Mbretëria e Bashkuar është gati të intensifikojë sanksionet dhe t’i vazhdojë ato për aq kohë sa të duhet”, ka thënë kryeministri anglez.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb