SERBI

Rusia mbështet arritjen e një marrëveshje të pranueshme reciproke Prishtinë-Beograd në përputhje me rezolutën 1244, deklaroi ne kryeqytetin serb presidenti rus Vladimir Putin gjatë vizitës së tij. Në disa rrugë të kryeqytetit serb ndërkohë, mbërritja e Putinit u prit me shkrimet: “Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”.

Shefi i Kremlinit tha se autoritetet në Prishtinë kane hedhur disa hapa polemizues duke iu referuar krijimit të Ushtrisë së Kosovës, një shkelje kjo flagrante e rezolutës në fjalë.

Rusia ndan të njëjtin shqetësim me udhëheqjen dhe popullin serb se këto veprime të papërgjegjshme mund ta destabilizojnë Ballkanin, është shprehur Putin.

Duke përsëritur se nuk sheh një zgjidhje të afërt mes Beogradit dhe Prishtinës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se për çdo zgjidhje do të konsultohet me Putinin. “Serbia është gjithmonë e gatshme për negociata dhe kompromis, por nuk pajtohet me poshtërimin” , ishin fjalët e tij.

Të njëjtin qëndrim, sic tha dhe vete, ia ka shprehur edhe homologut rus kur kanë biseduar për Kosovën, te cilin e ka informuar për gjithë çfarë ndodh në Kosovë, duke përfshirë edhe tarifën mbi mallrat serbe.

Kjo ndalesë është parë nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, si vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësia në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb