Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, në një intervistë për një kanal francez, ka folur për pasojat e luftës ruse në Ukrainë.

Me atë rast ai tha se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë shumë gabime strategjike, veçanërisht në fillim të ofensivës, siç përmbledh gazeta “Le Parisien”.

Duke folur për BFM TV, Le Drian paralajmëroi se lufta do të ishte “e gjatë dhe e vështirë”, duke theksuar se fjalimi i Putinit me rastin e përvjetorit të Ditës së Fitores më 9 maj nuk solli asgjë të re.

“Agresioni rus vazhdon, dhe lufta vazhdon me tragjeditë e saj. Do të jetë e gjatë dhe e vështirë, sepse Putini është në një gjendje mohimi dhe po përpiqet të ndryshojë arsyetimet për luftën dhe të zhvendosë përgjegjësitë”, tha ai.

Sipas Le Drian, presidenti rus bëri “katër gabime strategjike”.
Së pari, dhe mbi të gjitha, kur mendoi se Ukraina do të pushtohej kollaj dhe pa i shkaktuar shumë probleme, gjë që doli të ishte e kundërta e realitetit.

Një gabim tjetër ishte se shefi i Kremlinit mendoi se reagimi i Evropës do të ishte i dobët, por rezultoi e kundërta.

Sipas ministrit francez, gabimi i tretë i Putinit lidhet me besimin e tij se ai pa dobësi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ndërkohë që NATO në fakt iu përmbahet edhe më fort parimeve të saj.

Sa i përket gabimit të katërt të Putinit, ai e mbivlerësoi forcën e ushtrisë së tij, sipas Le Drian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb