Nga Përmeti, i pari i qeverisë siguroi qytetarët se më 30 qershor askush nuk do guxojë t’i ndalojë ata të votojnë. E sa për ato që Rama i quajti, skenarë frike, të shpërndara nga opozita se do të ndodhë një tjetër ’97, kryeministri vijoi me batuta. Sipas tij nëse katërshja, aty ku ai përmendi emrat e Presidentit Ilir Meta, Kryedemokratit Lulzim Basha, liderit historik të PD-së Sali Berisha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, nuk do të pinin kafe turke deri më 30 qershor asgjë nuk do të ndodhte.

“Këtë herë nuk ka më karamele për Lulin, pavarësisht se këta thonë do bëhet ’97-ta e dytë, do bëhet qameti… Po pse ça ka ndodhur këtu? Ku është populli këtu që ka dalë në rrugë se ju morën paratë? Po këto janë skenarë veç për të mbjellë frikën, ju siguroj që nëse s’ka filxhan deri më 30 qershor dhe nëse katërshja, Liri, Monika Saliu dhe Luli ndalojnë pirjen e kafes turke deri më 30 qershor, asgjë s’ka për të ndodhur”, shtoi Rama.

Kryeministri tha ndër të tjera se pavarësisht protestave të opozitës, qeveria nuk rrëzohet.

“Protestat të vazhdojnë, mund të kthehen edhe vetë në molotov, por qeverinë nuk e rrëzojnë dot. Mund ta kishin djegur Parlamentin…por Parlamenti nuk janë muret”,- tha ai.

Sipas kryeministrit është e pamundur të imagjinosh të shkosh në burg se iu del në krahë e bën rrëmujë për opozitën.

Kërcënojnë fizikisht popullin e përbetohen se nuk do ta lejojnë popullin të shkojë në zgjedhje. Këtë gjë e shohim për herë të parë në historinë e botës, ashtu sikurse për herë të parë pas vitit 1922 në Itali, rishfaqët fenomeni i djegies së mandateve. Në vend të ishin zëri i kritikës, ata i dogjën mandatet dhe thanë do bëhemi popull, u futën mes turmave dhe nxitën çakërdisjen mes atyre me budallenjve dhe të sinqertëve, i hodhën t’i binin me kokë murit të ligjit, këta që pranuan të bëhen mish për top mbeten në burg, ai që ishte në krye të tyre doli. Doli në gjykatë dhe tha s’kam lidhje me turmën, vajta t’i qetësoja”,- ironizoi më tej Rama ish-deputetin e PD-së, Bardh Spahinë.

Ndër të tjera ai tha: “A shkohet në burg për Monika Kryemadhin? Si mund të shkohet të lësh familjen, të lësh fëmijët se në filxhan i ka dalë asaj që s’do ketë zgjedhje? A mund të bëhet burg për Ilir Metën? Për të mbrojtur dekretin antidekret, qesharak dhe skandaloz të Ilir Metës? Zgjedhjet nuk janë të mijat, janë tonat, janë të popullit. Nuk i caktova unë, as Meta, por Kushtetuta ia cakton atë detyrë. Këta duan të na kthejnë përmbys gjithë sistemin, duan të na bindin që nëse një pakicë nuk i do zgjedhjet ato nuk mund të bëhen”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb