Do të mungojë në dy sfidat e tetorit për shkak të një dëmtimi, por Qazim Laçi beson se Kombëtarja shqiptare i ka kapacitetet e duhura për të marrë dy fitore. Mesfushori kuqezi, në një lidhje skype në Neës 24 për emisionin “Neës Sport” të moderuar nga Enxhi Biba, thotë se po u kalua me sukses Hungaria, do të jetë rruga e shtruar edhe ndaj Polonisë…

Si është gjendja juaj fizike?

Për fat të keq, nuk jam mirë, do të mungoj për disa javë, shpresoj të mbaroj sa më shpejt ky dëmtim.

Besoj ndjeni keqardhje që humbët dy ndeshjet e Kombëtares në një moment të mirë për ekipin kuqezi dhe për ju personalisht?

Po, e vërtetë që ndjej keqardhje. Janë dy ndeshje finale për Kombëtaren. Këto ndeshje janë vendimtare që do të tregojnë nëse do të tregojnë vendin e dytë apo jo.

Keni komunikuar këto ditë me trajnerin Edy Reja apo me shokët në Kombëtare, se si po i përjetojnë këto dy sfida?

Po, kam folur me disa lojtarë dhe me trajnerin Reja, sidomos kur u lëndova. Më thonë që janë në formë dhe po presin me shumë emocione këto ndeshje, sidomos me Hunarinë, që është e rëndësishme, për të marrë trepikëshin në Budapest, pastaj të vijmë te shtëpia jonë për t’u përballur me Poloninë, ku shpresoj të marrim një tjetër fitore.

Beson vërtet se Shqipëria i ka shanset për të kapur vendin e dytë?

Po, mundësitë janë. Ne e treguam edhe në ndeshjen e parë me Hungarinë në shtëpi. Ekipi besoj është përgatitur për të marrë një tjetër fitore . Unë besoj shumë te ky ekip, që e ka treguar edhe në fushën e lojës se cfarë është në gjendje të bëjë.

Hungaria dhe Polonia janë dy kundërshtarë të ndryshëm, cili mendon se do të jetë më i vështirë?

Të dy rivalët janë të vështirë. Hungaria bëri një Evropian të mirë, kur si për Portugalinë, ashtu edhe për Gjermaninë, nuk ishte e lehtë ta përballonin. Edhe ne kur fituam ndaj Hungarisë e patëm të vështirë. Me pak fat, shpresoj të marrim tri pikë andej, pastaj ndaj Polonisë me tifozët në “Air Albania” një tjetër fitore. Por duhet shumë përqendrim ndaj Hungarisë, sepse vetëm duke marrë fitoren atje, shtrohet rruga për suksesin e radhës.

Në Kombëtare është rritur shumë konkurrenca me ardhjen e Brojes, Bajramit etj, apo më rritjen e madhe të nivelit nga shumë lojtarë të tjerë, e shihni këtë në fushë, duket sikur edhe rivalët na shohin ndryshe, me më shumë respekt?

Besoj se po, edhe Bajrami dhe Bajrami janë shumë lojtarë të mirë. Ekipi ka në përgjithësi lojtarë të mirë konkurrencë në cdo repart. Gjithë mbrojtësit thuajse luajnë në Serinë A në Itali. Por edhe në sulm dhe në mesfushë e kemi treguar në fushë që jemi pak a shumë në të njëjtin nivel.

Edy Reja është një trajner që beson shumë tek ju, iu afrojë me ekipin e parë dhe iu ka gjithnjë në konsideratë, çfarë raporti keni me të, çfarë kërkon Reja nga ju?

Ai kërkon shumë gjëra, do që të jem gjithnjë në formë të mirë. E falenderoj nga zemra që më dha këtë shans për të qenë pjesë e ekipit kombëtar. Shumë futbollistë e kanë ëndërr. Natyrisht, kam punuar shumë të jem këtu, që I vogël apo kur isha me Shpresën. Sa herë më jep mundësinë, qoftë nga duke e nisur nga pankina, qoftë si titullar, mundohem të bëj më të mirën dhe t’ia shpërblej.

Shënuat golin e parë më fanellën kuqezi ndaj San Marino, një gol shumë i bukur në fakt, çfarë ndjesie patët, çfarë të thanë shokët dhe trajneri në dhomat e zhveshjes?

Akoma nuk e kam kuptuar se si e shënova. Dhe natyrisht nuk do ta harroj kurrë. Kur pashë telefonin, kisha ardhur qindra mesazhi urimi. I pari ishte i bababit. Familja ime më ka mbështetur gjithnjë, që nga ekipet e moshave kuqezi, për të ardhur te ndeshja e fundit me San Marinon.

Që nga 2017 jeni pjesë e futbollit Francez, ku aktivizoheni me Ajaccio, mos gaboj jeni shqiptari i vetëm për momentin në futbollin francez, apo ka ndonjë talent që ne nuk e njohim ende, pse është kaq e vështirë që shqiptarët të luajnë në Francë?

Po, është e vërtetë që nga Shqipëria jam vetëm unë, por ka elementë nga Kosova. Ndoshta nga fakti se liga e dytë në Francë nuk preferon shumë lojtarë të huaj.

Si është pritur ardhja e Lionel Messit?

Në fillim nuk e besuan, as ne në klub. Të luash kaq gjatë me Barcelonën, ishte pak e cuditshme të largohej. Futbollistët francezë janë të kënaqur, pasi është vërtet fat të luash ndaj tij.

Në jemi mësuar në fakt që pjesën më të madhe të lojtarëve shqiptarë ti shohim në Serie A, i kemi më pranë, di që edhe ju e keni shprehur dëshirën për të luajtur në Itali, kemi ndonjë gjë konkrete, ndonjë ofertë, mund të realizohet një ditë?

Për momentin nuk mendoj një gjë të tillë, është menaxheri im që kujdeset. Qëllimi im është të jap maksimumin me ekipin në fushë dhe jo vetëm më Ajaccio, por edhe me Kombëtaren, pastaj gjërat e tjera vijnë vetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb