NGA: Fatos Çoçoli
Nëse të gjithë ne si qytetarë, të politizuar deri në rrënjë të flokëve nga bombardimi me lajme e pseudo-lajme nëpër media, presim duarkryq me padurim të bien në rrjetë “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit, kryesisht politikanë, harrojmë se kjo dukuri ushqehet përditë e pandëshkuar në administratën tonë shtetërore, me moskërkimin në sistem të llogarisë. Kërkesa e llogarisë nuk mund të bëhet e plotë në formë fushatash dhe takimesh me qytetarë, me gjithë vullnetin e mirë kryeministror. Presioni pozitiv i ankesave të qytetarëve, që sot mblidhet i mirëstrukturuar nga bashkëqeverisja, përfundon në spektaklin e radhës, në rast se mbaron vetëm me zgjidhjen e problemit të qytetarit ankues të radhës dhe me dënimin, nëse vërtetohet, të zyrtarit apo zyrtarëve që e kanë zvarritur.

Problemi, apatia shtetërore apo mosveprimi në rast të një korrupsioni pasiv apo aktiv, mbetet aty, pasi kalon rrëmeti bashkëqeverisës, si shiu që lag gjethet, por nuk tund për ta rrëzuar, trungun e korrupsionit. Dhe korrupsioni më i rrezikshëm është ai që harrohet. Të përqendruar në sportin popullor të hamendimeve të gjetjes së peshqve të mëdhenj për rrjetat e hapura nga vetingu në gjyqësor dhe polici, rrezikojmë të anashkalojmë korrupsionin galopant në gjirin e administratës sonë shtetërore. Të fshehura mirë në tenderët aspak transparente dhe krejtësisht jo të barabartë, në koncesionet apo partneritetet publik-privat(PPP) me ofertë të pa kërkuar, metastazat e korrupsionit po rrezikojnë shëndetin e buxhetit të shtetit tonë për vitet që do të vijnë. Duke e ngarkuar atë, njëlloj si mushka, me “drunj” gjoja për përmirësimin e shërbimeve ndaj popullatës(sa shqiptarë e dinë se “Check-up-i”, kontrolli mjekësor falas, për të cilin të gjithë e paguajmë privatin sa frëngu pulën, edhe për kontrolle të pabëra, po kalon në dështim kronik?), apo për rritjen e investimeve të huaja. Por, në fakt, duke i shtuar stivën e detyrimeve, derisa një ditë mushkës “Buxhet” t’i thyhet kurrizi.

Aventura me PPP-të duhet parë me shumë kujdes. Ato janë të domosdoshme, tani që TAP-i dhe hidrocentralet mbi Devoll po përfundojnë, por duhet të jenë transparente 100 përqind. Përndryshe korrupsioni i sotëm qeveritar do t’i përpijë. Dhe “drita” mbi llogaridhënien e këtyre vendimeve aq me rëndësi për fatin e dhjetëra dhe qindra miliona eurove para të të gjithëve, nuk ka si bie me fushata raportimesh të ministrave të fushës, apo dëgjimesh ankesash nga qytetarët e kundërveprimesh të menjëhershme. Bie fjala, për “Check-up”-in, një qytetar mund të ankohet për rezultatet e shëndetit të tij, që ky shërbim sot falas mund t’ia ketë nxjerrë jo të sakta, por kurrsesi jo për dhjetëra mijëra kontrollet e “Check-up” të pakryera gjatë një viti, për të cilat, në bazë të kontratës, Buxheti i Shtetit tonë duhet t’i paguajë privatit që realizon këtë shërbim njëlloj sikur këto kontrolle të jenë bërë, ngaqë nuk përmbushet kuorumi!(sasia e kontrolleve reale të rëna dakord në kontratë).

“Drita” do të binte dhe llogaridhënia në administratën tonë publike do të hynte në sistem, në rast se do të miratohej ligji për përgjegjësinë materiale të nëpunësit shtetëror. Këtë ligj Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vite që po e rekomandon të përgatitet dhe të miratohet, por askush nuk ka reaguar. Nëse ky ligj miratohet, atëherë përgjegjësia ndaj dështimeve nëpër tenderë e koncesione, ndaj dëmeve materiale të shkaktuara Buxhetit të Shtetit, nuk do të ngelej më jetime. Do të kishte një emër funksionari të shtetit, ose disa syresh, sipas tipit të përgjegjësisë, kolektive apo individuale. Do të konkretizohej në shuma që funksionarët dëmtues të buxhetit dhe interesave të të gjithëve, apo edhe kryerës së abuzimit e korrupsionit, do të detyroheshin t’i paguanin si dëmshpërblim Buxhetit të Shtetit.
Ky zhvillim, miratimi i këtij ligji do të sillte peshën e rëndë dhe të papërballueshme të shpërblimit të dëmit, në rast të një vendimmarrje me pasoja tejet negative për paranë publike. Do të shërbente si frenim i fortë, njëlloj si vetingu, për cilindo në administratën shtetërore, që do t’i hynte rrugës së abuzimit apo korrupsionit, me synim përfitim vetjak. Deri tani, i mbrojtur nga daullet e shiut të vetingut ndër gjykatës dhe prokurorë, ky “cilido” e sheh rrugën e hapur për abuzim në administratën publike. Por nëse ligji i propozuar nga KLSH do të merrte formë dhe miratohej, atëherë llogaridhënia do të niste të kthehej në sistem të pagabueshëm, kur abuzuesi do të hynte në administratën shtetërore si në vrimën e gjilpërës.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/05/11/qe-llogaridhenia-te-kthehet-ne-sistem/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: