Që nga telefonat inteligjentë dhe deri tek traktorët, opsionet për t’i riparuar janë të kufizuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, njofton se lëvizja në rritje “E drejta për të riparuar” kërkon ta ndryshojë këtë gjë dhe ajo mori një ndihmë të madhe nga Presidenti Joe Biden.

Nëse ju prishet telefoni në Berkeley të Kalifornisë, ndoshta do ta sillni për ta riparuar tek dyqani i Aashish Shresthas. I apasionuar pas riparimeve që në moshën 14 vjeçare, ai thotë se puna e tij po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Bateritë e kompjuterave portativë p.sh. ishin dikur lehtësisht të zëvendësueshme nga kushdo. Por jo më.

“Siç mund ta shihni nuk ka asnjë vidë. Është e gjitha e ngjitur. Të gjithë tabletët kanë po të njëjtin projektim, me ngjitje. Procesi për ta hequr baterinë bëhet shumë i gjatë”, thotë ai.

Dhe nëse ai, apo dikush që nuk është punonjës i kompanisë Apple, zëvendëson ekranin apo baterinë e një iPhone-i, klientit do t’i shfaqet një mesazh paralajmërues kur ta ndezë pajisjen.

Zoti Shrestha thotë se kompanitë e prodhimit të teknologjisë përpiqen të kontrollojnë tregun e riparimeve, ose t’i shtyjnë njerëzit drejt pajisjeve të reja. Dhe nëse kjo tendencë vazhdon…
“Dyqane riparimi si i yni do të falimentojnë në më pak se pesë vjet”, thotë ai.

Në Shtetet e Bashkuara, është bërë më e vështirë për të gjithë, me përjashtim të firmave prodhuese, që të riparojnë një gamë të gjerë pajisjesh. Në përgjigje ka lindur lëvizja e ashtuquajtur “E drejta për të riparuar”, e cila argumenton se politikat e kompanive dëmtojnë bizneset vendase dhe kontribuojnë për më shumë mbeturina.

Kompanitë e prodhimit të teknologjisë thonë se praktikat e tyre mbrojnë të dhënat dhe sigurinë e përdoruesve.
“E nxorrët produktin në treg. Më shitët makinën time të kafesë, traktorin, apo telefonin. Tani më lini ta ndreq”, thotë Kyle Wiens, drejtues në iFixit.

Kyle Wiens themeloi iFixit, një bazë udhëzimesh pa pagesë, pasi zbuloi se shumë kompani nuk i ofronin më të dhënat e tyre. Ai është tashmë ndër aktivistët kryesorë të lëvizjes “E drejta për të riparuar”.

“Ideja e ‘Të drejtës për të riparuar’ bazohet në ligjet që kemi për automjetet. Shteti Masaçusets miratoi një ligj për të drejtën e riparimit të makinave, ku parashikohet që mekanikët vendas duhet të kenë qasje në të njëjtin informacion si konçesionarët. Pra, nëse keni një Ford F150, mund ta çoni tek mekaniku i lagjes ose tek konçesionari. Zgjedhjen e bëni ju”, thotë zoti Wiens.

Para një jave, lëvizja fitoi një aleat të fuqishëm.

“Pa konkurrencë të shëndetshme, lojtarët e mëdhenj mund të ndryshojnë çfarë të duan dhe të vendosin çmimet që duan”, tha Presidenti Biden.

Në kuadrin e një përpjekjeje më të gjerë për të nxitur konkurrencën në ekonominë amerikane, Presidenti Biden urdhëroi vendosjen e rregullave të reja për të ulur kufizimet ndaj dyqaneve të pavarura apo edhe kryerjen e riparimeve vetë.

Mbi gjysma e shteteve amerikane po shqyrtojnë projekt-ligje për të Drejtën e Riparimit. Këto iniciativa janë përballur me opozitë të fortë nga disa prej korporatave më të mëdha amerikane.

Është tepër herët për të ditur ndikimin që do të kenë rregullat e reja tek pajisjet me të cilat njerëzit punojnë. Por, Kyle Wiens ka shpresë.

“Jam optimist se me një urdhër të tillë ekzekutiv, ose me një ligj, do të përgatisim terrenin për një epokë të re jetëgjatësie të produkteve. Të shpresojmë se kjo do të sjellë pak nga fryma që na ka munguar tek objektet e jetës sonë”, thotë zoti Wiens.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb