Kreu i PD, Sali Berisha, ka folur për masakrën e Elbasanit katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, ku u vra Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha mbrojti oficerin Arbër Paplekaj, që qëlloi me armë në vendngjarje, duke thënë se ai është oficer shembullor dhe nuk do të qëllonte kurrë, përveçse për vetëmbrojtje.

“Këto ditë doli vrasja e Elbasanit. Këto ditë gjykatësi ose prokurori urdhëroi arrestimin e dy nëndrejtorëve. Këto ditë u faktua se policia qëndroi indiferentë ndaj krimit ose në anën e krimit. Kemi dy zv.drejtorë në arrest, kurse drejtori i përgjithshëm, që gënjeu, dhe kryeministri që e mbrojti, nuk pësuan asgjë. Kush është krimineli i vërtetë? A nuk është ai që mori 18 mijë vota për këta njerëz? Kujt i del zot Edi Rama?

Donin ta mbyllnin ngjarjen me Arbër Paplekaj, një oficer shembullor, një oficer që ishte nga më të mirët në Afganistan. Ai nuk qëllonte kurrë, përveçse në vetëmbrojtje. Në vendimin e policisë thuhet se kanë qëlluar me dy tyta, jo me një. A nuk është kryeministri dhe drejtori i policisë bashkëpunëtorë në këtë krim. Duhet t’ua dimë për nderë gazetarëve trima, që arritën të nxirrnin të vërtetën. Një nga gabimet historike, të pafalshme, të Lulzim Bashës ishte që nuk nxori qytetarët në shesh më 27 prill. Nuk ishin zgjedhje ato, kur shteti futi duart e tij të zeza në të gjitha proceset e votimit. Unë nuk mund të imagjinoja që të tolerohej ajo situatë”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb