KORÇË

Policia e Korçës ka arrestuar dy persona pas konfliktit me armë zjarri në një lokal të qytetit.

Policia ka vënë në pranga shtetasit Luçiano Xhialli dhe Klajdi Latka, të cilët janë konfliktuar me pronarin e një lokali dhe njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit.

Njoftimi i policisë:

Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me armë.

U konfliktuan me pronarin e një lokali, vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të ngjarjes, njëri prej të cilëve qëlloi në drejtim të lokalit me armë zjarri.

Sekuestrohet një pistoletë me municion luftarak.

Pas marrjes së njoftimit së në fshatin Moravë, Korçë, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, njëri prej tyre dispononte dhe armë zjarri dhe si pasojë konflikti mund të përshkallëzohej në përdorimin e armëve të zjarrit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.

Falë reagimit në kohë u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve L. Xh., 19 vjeç, banues në fshatin Moravë dhe K. L., 16 vjeç, banues në Korçë. Këta shtetas janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin M. F. dhe gjatë konfliktit shtetasi K. L. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit të shtetasit M. F., pa shkaktuar dëme në njerëz dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme procedurale, forcat e Policisë, pasi ndaluan dy të rinjtë e lartpërmendur, kanë ushtruar kontroll në afërsi të vendit ku kishte ndodhur konflikti dhe si rezultat gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilat dyshohet se i përkasin shtetasit K. L.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: