FIER- Dy efektivë të komisariatit të policisë së Fierit janë vënë në pranga nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në MPB, nën akuzën për kryerje të veprave penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”. Punonjësit me gradën “Inspektor”, Edmond Sulaj, 43 vjeç dhe Amarildo Bala, 26 vjeç, lindur dhe banues të dy në Fier, kanë pasur detyra si patrullë e përgjithshme në komisariatin policisë së këtij qyteti. Burime zyrtare nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në MPB bënë me dije se të dy efektivët, pasi kanë konsumuar një sasi të madhe alkooli në një nga lokalet e zonës turistike në Divjakë, kanë qëlluar secili disa herë, me armët e tyre personale, në vend publik në rrugën automobilistike, brenda zonës turistike. Po të njëjtat burime pohuan se fill pas ngjarjes, punonjësit e policisë janë larguar me mjetin tip “BMW X5”. me targa AA 220 DE, në drejtim të qytetit të Fierit. Pas njoftimit të marrë, shërbimet e policisë kanë ngritur postblloqet dhe kanë ndaluar mjetin në vendin e quajtur “Rreth rrotullimi i Plugut”. Dy punonjësit e policisë fillimisht nuk i janë bindur urdhrit të shërbimeve të rendit për t’u shoqëruar, deri në ndërhyrjen e shefit të komisariatit të policisë, Lushnje. Por, duket se situata ka agravuar më shumë, pasi gjatë shoqërimit në ambientet e komisariatit të policisë Lushnje, dy të arrestuarit kanë përdorur një fjalor fyes dhe jashtë etikës ndaj punonjësve të policisë që kryenin shoqërimin. Sipas uniformave blu, Edmond Sulaj refuzoi të dorëzonte armën, e cila i është marrë forcërisht nga shërbimet e rendit. Gjithashtu, punonjësit e policisë Edmond Sulaj dhe Amarildo Bala refuzuan t’i nënshtroheshin testit të alkoolit, edhe pse u paralajmëruan se ky veprim përbën vepër penale, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 236 të K.Penal. Materialet procedurale të përpiluara u dërguan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: