Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në maj të këtij viti, që tronditi qytetin bregdetar, ku iu bë atentat shtetasit Inez Hajrulla, një emër i njohur ky për botën e krimit dhe djali i një biznesmeni në këtë qytet.

Në atë kohë u qëllua me breshëri plumbash në drejtim të lokalit, pronar i të cilit ishte babai i shënjestrës së atentatit, por që u plagos 63-vjeçari D. Ç.

Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar katër persona, si autorët e plagosjes së 63-vjeçarit, në lagjen “Uji i Ftohtë”. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se në pranga kanë rënë të rinjtë Daut Elmazi, 25 vjeç, Albano Goxhaj, 24 vjeç, Dejvison Serjani, 28 vjeç, Ardjan Ahmeti, 26 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Vlorë

Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, Policia dokumenton ngjarjen e ndodhur në maj të 2019.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.

Vihen në pranga 4 shtetas.

Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 10.05.2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C., ju informojmë se:

Policia e Vlorës, si rezultat i punës intensive hetimore prej 6 muajsh, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, ka bërë zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave Operacionale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e personave të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit kanë bërë ndalimin e shtetasve:

• D. E., 25 vjeç, banues në Vlorë;
• A. G., 24 vjeç, banues në Fier;
• D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë;
• A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;

Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb