SHKODËR- Shërbimi i hemodializës, një proces jetik për pacientët që duhet ta kryejnë atë, ofrohet tashmë dhe në Shkodër, nga një shërbim me kushte jashtë çdo norme dhe të degraduara, në një shërbim me standarde europiane.

Qendra e dytë e re e hemodializës në Shkodër hapet pas asaj të Vlorës, për të vijuar edhe në qytete të tjera, duke lehtësuar për qytetarët barrën e shpenzimeve dhe kursyer kohën e udhëtimit dhe mundimin për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Qendra e re e hemodializës, investim i partneritetit publik privat, me vlerë fillestare prej 900 mijë dollarësh ofron një shërbim bashkëkohor, me aparatura dhe teknologji moderne, me kapacitet të zgjeruar, e gatshme për të pritur pacientët, numri i të cilëve është në rritje, pasi tendenca e kësaj sëmundshmërie është e tillë në këtë qytet. Në qendër janë instaluar 17 + 3 poste trajtimi (dy poste në salla të veçanta për pacientët me Hepatit C dhe HIV), për të kryer trajtimin e pacientëve vetëm në 2 turne.

Paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj vizitoi Qendrën, ku u takua me stafin mjekësor dhe pacientët që po merrnin shërbimin, te cilin e vlerësuan “një lehtësim të jashtëzakonshëm”. Mjekët pohuan se falë shtimit të kapaciteteve përballohet me sukses dhe fluksi i pacientëve, pasi përmirësimi i kushteve të punës është cilësi në shërbimin ndaj të sëmurëve.

Ministri i Shëndetësisë Beqaj, tha se veç përfitimeve që sjell Qendra për pacientët, ajo është një inkurajim për stafin mjekësor për të dhënë maksimumin në punën e tyre.

Kryeministri Rama tha se shumë shpejt, problemi i sorollatjeve të qytetarëve nga një spital në tjetrin do të marrë zgjidhje në të gjithë Shqipërinë, falë hapjes së qendrave të reja në qytete të tjera.

“Problemi i këtyre njerëzve që janë torturuar ndër vite, duke u detyruar të lëvizin drejt qyteteve të tjera për të marrë këtë shërbim tre herë në javë, do të zgjidhet në rang Shqipërie. Kjo është qendra e dyta, do të vazhdojmë me Korçën, Lezhën dhe Elbasanin. Ajo është rezultat i partneritetit publik privat, pasi një investim të tillë, në gjithë territorin e Shqipërisë, në një kohë kaq të shkurtër, shteti nuk e bënte dot”, u shpreh kryeministri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: