Një Qendër e re Shëndetësore është hapur në zonën e “Unazës së Re” në kryeqytet. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga Ministri i Puneve te Brendshme Saimir Tahiri vizituan mjediset e Qendrës së re Shëndetësore. 3 mjekë dhe 5 infermierë janë pjesë e kësaj Qendre Shëndetësore, të cilët do t’ju shërbejnë në çdo moment rreth 25 mijë banorëve.

“Zona e “Unazës së Re” është një territor i Tiranës i zhvilluar shumë 15 vitet e fundit, ku jetojnë e punojnë përditë 25-30 mijë banorë, të cilët, në mungesë të një Qendre Shëndetësore, duhet të vazhdonin ta merrnin kujdesin shëndetësor ose në “Kombinat”, tek Lagja “21 Dhjetori” ose në “Laprakë”, u shpreh midis të tjerash Ministri i Shëndetësisë Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë falënderoi mjekët dhe infermierët, të cilët janë ata që u shërbejnë në çdo moment qytetarëve, teksa solli edhe një herë në vëmendje vendimin e fundit të Qeverisë për rritjen e shpërblimit për bluzat e bardha.

“Unë dua të falënderoj ministrin Beqaj për përgjigjen në kohë ndaj një kërkese të vazhdueshme të banorëve të “Unazës së Re” për të patur një Qendër Shëndetësore këtu. Pra, bëhet fjalë për t’i dhënë në mënyrë definitive shërbim shëndetësor mbi 25 mijë banorëve”, tha ministri Tahiri.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: