“Babait i pëlqente noti. Sa herë shkonim në Himarë më kujtohet kur isha e vogël që shihja plot frikë kur ai zhytej e humbiste në det, deri sa të shfaqej. Më dukej sikur do të humbiste, por ai shfaqej i buzëqeshur”. Me këto fjalë Aranita Marko, e bija e shkrimtarit Petro Marko, analizoi në mënyrë metaforike historinë e Petro Markos në letërsinë shqipe, ku pavarësisht censurës dhe përjashtimit që veprat e tij kanë pasur në kohë nëpër biblioteka, ai shfaqet gjithnjë më i fortë. “Ai është si shkëmbi shfaqet më i fortë”, tha Aranita.

Viti 2023 është shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë si Viti i Petro Markos. :Përgjatë këtij vit, do të nderojmë kontributin e tij në letrat shqipe, përmes aktiviteteve të ndryshme, leximeve, konferencave, ekspozitave, botimeve në Shqipëri dhe Kosovë.Në vitet 1950-1960 Petro Marko ishte romancieri më popullor dhe vazhdoi të ishte ndër më popullorët, edhe kur romanet e tij ishin mbyllur në biblioteka si të papërshtatshme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Koha e leximit të tyre, për shkak të shndërrimeve rrënjësore të horizontit të pritjes, është e ndarë në dy periudha: me censurë dhe pa censurë. Fati i familjes Marko është ndoshta nga më tragjikët në historinë e shkrimtarëve të ish vendeve komuniste”, tha drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli. Pirro Misha Drejtori i Bibliotekës Kombëtare tha se ky është një rast për të nderuar një figurë të lartë të letërsisë shqipe, i cili nuk ka pasur vëmëndjen e merituar. Për shkrimtarin folën dhe kritikët Behar Gjoka, Ben Andoni, shkrimtari Ylljet Alicka.

Petro Marko është një ndër figurat e rëndësishme të letërsisë shqipe, i njohur më së shumti me romanet “Hasta la vista” dhe “Nata e Ustikës”. Pas viteve 90-të u botua dhe libri i tij autobiografik “Intervistë me vetveten”, i lënë në dorëshkrim nga vetë shkrimtari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb