Qendra kombëtare e librit dhe Leximit e ka shpallur vitin 2022, një vit sfide në fushën e leximit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Rininë, do të ketë një nismë kombëtare për leximin.

“Këtë vit do të nisim punën me një fushatë kombëtare për leximin. Bashkë me Ministrinë e Shtetit për Rininë do e shpallim vitin e leximit, çka do të thotë se përgjatë këtij viti do të ketë fushata kombëtare për leximin që nisin në QKL e shkojnë në çdo qytet, për të ndërgjegjësuar rëndësinë e leximit, për një komb, shoqërinë e për të ardhmen”, tha Bardhyli.

Ndërsa pasurimi i bibliotekave të rretheve ka pësuar një ngërç 10-vjeçar, e Tirana është pa një të tillë, Qendra Kombëtare, më herët ka hedhur idenë e një ligji për leximin.

“QKL gjatë vitit 2021 bëmë analizë për gjendjen e bibliotekave në terren dhe për fat të keq gjendja në biblioteka është e trishtë dhe alarmante. Dhe po shkojmë drejt një ligji të ri për leximin që i jep QKL-së rolin e një rregullatori mes institucioneve, bashkitë nga ku varen libraritë dhe vetë librarive”, tha Bardhyli.

Takimet e qendrës së librit me botues e librarë kanë nxjerrë në pah se bibliotekat e rretheve kanë tituj të 30 viteve më parë. Ndërkohë, që një tjetër problem është TVSH-ja mbi librin, për çka QKL po sheh mundësi ndërhyrjeje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb