Të rinjtë e Kurbinit, Lushnjes dhe Elbasanit do të kenë tanimë qendrat e tyre rinore, ku mund të shprehin talentin e krijmtarinë apo të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të investojë në krijimin e kësaj infrastrukture mbështetëse, me qëllim gjithëpërfshirjen dhe aktivizimin e të rinjve në jetën social – kulturore. Ky lajm është bërë i ditur nga drejtoresha e përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë, znj. Lorena Haxhiu, përmes postimit në rrjetet sociale të vendimeve të Këshillave Bashkiakë.

“Për RININË të gjithë thonë “PO” njëzëri!!! Kjo fundjavë do të jetë akoma më e bukur për të rinjtë e Kurbinit, Lushnjes dhe Elbasanit, pasi të tre Këshillat Bashkiakë votuan unanimisht për miratimin e ngritjes së Qendrave Rajonale Rinore! Faleminderit dhe mirënjohje!” – citon Haxhiu.

Mësohet se ambjentet në dispozicion për këto struktura do të jenë në qendër të qyteteve respektive, duke lehtësuar aksesueshmërinë e tyre. Qendrat Rajonale Rinore janë njësi të drejtpërdrejta në varësi të Shërbimit Kombëtar për Rininë, institucionit përgjegjës për implementimin e politikave dhe programeve rinore në vendin tonë. Hapësirat jepen dhe shfrytëzohen falas nga të rinjtë, ndërsa veprimtaria e tyre mbështetet në Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë 2015 – 2020.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb