Ish- ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka kritikuar projektligjin për marrëveshjen e qendrave kulturore midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Bushati ka theksuar se kjo marrëveshje gabimisht barazon statusin e pakicave kombëtare. Ai thotë se kjo marrëveshje nuk ka asnjë vlerë të shtuar për shqiptarët, pasi në Maqedoninë e Veriut shqiptarët janë shtetformues kurse maqedonasit në Shqipëri janë pakicë kombëtare.

Marrëveshja parashikon hapjen e qendrës kulturore në ambasadën në Shkup për promovimin e kulturës shqiptare, por Bushati thotë se 1/3 e territorit maqedonas janë shqiptarë, ka tre Universitete shqiptare dhe tre televizione të mëdha ku flitet shqip.

Po ashtu Bushati thotë se një marrëveshje e tillë mund të bëhej me Ukrainën dhe Australinë për mos humbur kultura e shqiptarëve aty, por jo me Maqedoninë ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, kryeparlamentari është shqiptar, në qeveri dhe parlament flitet shqip si dhe në procese gjyqësore mund të flitet shqip.

”Kjo është një marrëveshje për të cilën më duhet të them që në krye të herës, se në rast se do të thellonte më tej bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, besoj se do ti shërbente sado pak klimës së bashkëpunimit të vendosur nder vite. Nuk besoj se ka ndonjë koleg këtu në sallë që të ketë pikëpyetje për domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal. Për të hequr çdo lloj pikëpyetje apo çdo lloj meraku më duhet ta them që në fillim që Shqipëria ka qenë mjaft zemërgjerë me Maqedoninë e Veriut.

Është ndër vendet e para që në atë kohë ka njohur pavarësinë e Maqedonisë, pavarësisht problematikës së madhe që kishte për çështjen e emrit, bllokadës në OKB e kështu me radhë. Është vendi i parë nga fqinjët që në programet e njëpasnjëshme të Shqiptarëve, ka qenë e shkruar qartazi angazhimi i Shqipërisë për pacenueshmërinë e integritetit territorial të fqinjit. Është vendi i parë që ka ratifikuar në këtë parlament marrëveshjen për Anëtarësimin e fqinjit tonë në NATO. Thënë shkurt e troç, pavarësisht se në 1/3 e vendit fqinj jetojnë shqiptarë, pavarësisht problemeve që ata mund të kenë pasur apo sfidave ndër vite, politika shqiptare ka qenë e pandryshueshme përsa i përket raportit me Maqedoninë e Veriut.

Cili është shqetësimi që unë e kam ngritur dhe në Komisionin e Politikës së Jashtme? Gabimisht me ketë marrëveshje mund të barazohet statusi i pakicës kombëtare, ( ne kemi njohur 9 të tilla me ligjin e miratuar në Kuvend “Për pakicat”), me statusin e komunitetit shtet formues që janë Shqiptarët në Maqedoni. Ky nuk është thjeshtë një dallim politik, sepse kjo është një çështje shqetësuese edhe sot që flasim, pavarësisht progresit të madh që është bërë përsa i përket avancimit të drejtave të Shqiptarëve në vendin fqinj. Pozicioni i Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është i dallueshëm edhe përkundrejt pozicionit të shqiptarëve në Mal të Zi, Luginën e Preshevës, apo kudo ku jetojnë shqiptarët. Prandaj është i rëndësishëm që ky dokument të paktën të shoqërohet me një plan zbatimi të qartë për të adresuar një pjesë të këtyre shqetësimeve që besoj ngrihen me të drejtë.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ia kanë dalë me të gjitha mjetet e mundshme që të konsolidojnë pozitën e tyre shtet formuese në shoqëri. Nuk janë minoritet. Nuk mund të vendosim shenja barazimi. Të gjitha qeniet janë të barabartë, meritojnë trajtim dinjitoz dhe të barabartë, por është si të shkosh tek rrobaqepësi dhe të marrësh një kostum për dy madhësi të ndryshme. Këtu është edhe meraku kryesor. Nga kjo rrjedhin dhe instrumentet që ne kemi në dispozicion. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e kanë çarë rrugën e tyre me shumë sakrifica për përfaqësimin politik, për identitetin kombëtar, për përdorimin e gjuhës shqipe. Prandaj mendoj se një qendër kulturore apo një qendër informative nuk i jap vlerë të shtuar shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Le të mos harrojmë. Ka një Institut për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në mes Çarshisë prej 20 vjetësh. Nuk e di se çfarë mund ti ofrojmë në një bibliotekë, në një sallë të vogël leximi në ambientet e një ambasadës, Shqiptarëve që kanë të paktën tre universitete shqip atje, dy apo tre televizione kryesore që kanë vite që flasin shqip. Shqiptarëve të cilët falë asaj, që shumë prej jush e kritikuan, platformën e partive politike shqiptare dhe që ne e mbështetem, sot mund të flasin shqip në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, mund të flasin shqip në qeveri dhe mund të kryejnë procedurat gjyqësore në shqip. Kjo është një marrëveshje klasike nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare që ne mund ta përdorim me Ukrainën për shqiptarët që jetojnë atje për të mos u shuar.

Kjo është një marrëveshje klasike që ne mund ta përdorim me shqiptarët që jetojnë në Australi, por jo me Shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, jo me Shkupin, i cili ishte një nder katër vilajetet kryesore kur ishim nën perandorinë Osmane. Jo me Shqiptarët e Maqedonisë që na kanë dhënë Ministrin e parë të Mbrojtjes në qeverinë e Ismail Qemalit që e ka ndikuar jetën tonë politike e kulturore për të ardhur tek ditët e sotme me Arbër Xhaferri, e kështu me radhë.

Mendoj që ne nuk duhet të japim imazhin e gabuar dhe as mesazhin e gabuar as me një supremaci përkarshi fqinjit tonë të mirë me të cilin duam të kultivojmë marrëdhënie edhe më të shkëlqyera. Nga ana tjetër, nuk mund të bëjmë marrëveshje këtu që nuk i shërben në radhë të parë interesave të Shqiptarëve që jetojnë atje dhe nuk i vlejnë shqiptarëve që jetojnë atje. Kjo është një çështje e vjetër e trajtuar në dosjen time edhe si ish-ministër i jashtëm. Nuk është një çështje kulturore. Më besoni këtë që po Ju them. Çështjet kulturore ne i trajtojmë me Atashe kulturor. Kemi një situatë tjetër me një vend partner strategjik në rajon. Çështjet me karakter kulturor janë detaje që bëhen me kalendarë të përbashkët kulturor, programe, buxhete të përcaktuara, grupe pune, etj.

Por, kjo është një çështje, para së gjithash politike dhe meriton një trajtim politik. Ne mund të ngjiremi këtu nga mëngjesi deri në darkë dhe të themi që ata janë komunitet shtet formues, por me këtë marrëveshje unë kam frikë se nuk u ofrojmë një gjë të tillë dhe nuk avancojmë në të drejtat e tyre. Rruga politike që kemi ndjekur, bashkëpunimi me partnerët strategjikë dhe mbi të gjitha, djersa që kanë derdhur ata vetë për të fituar këtë status, duhet të na bëjnë ne të gjithëve më të përgjegjshëm kur e trajtojmë këtë çështje.

Disa herë më të përgjegjshëm kur e trajtojmë ne dhe nuk është mirë që dikush nga komuniteti shqiptar atje të tallet me ne apo ta trajtojë këtë çështje në mënyrë cinike persa kohë që nuk ka një vlerë të shtuar. Kjo është si i të thuash Institute Italian i Kulturës, Instituti Cervantes, Aleanca Franceze, Instituti Goethe, që bëhen për të promovuar kulturën nëpër vende të ndryshme, për të zgjeruar rrezen e veprimit, apo vende ku ka minoritete të cilat mund të shuhen apo të jenë vulnerabel. Por, jo në vendet ku flitet shqip në parlament kryetari i parlamentit është shqiptar.

Unë jam i bindur që të punojmë së bashku, parlament, qeveri, ministri institucione përkatëse dhe të kemi mundësi të paktën në procesin e zbatimit ta shoqërojmë me instrumente. Të përfshijmë partitë politike shqiptare atje, akademinë e shkencave, të përfshijmë botën e intelektit shqiptar në Shkup, por jo vetëm, për të na dhënë mësimet e duhuraqë mund të mos jenë në radarin tonë, sepse po jetojmë kohë jot ë lehta. ”- tha Bushati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb