Fëmijët e ekspozuar ndaj ekraneve (televizor, tablet, smartphone, kompjuter) në mëngjes, para shkollës, janë tri here më të prirur për të patur probleme gjuhësore, sipas studiuesëve.

“Nuk është koha e kaluar para ekraneve, mesatarisht njëzet minuta në mëngjes, por periudha e ditës që ndikon. Kjo gjë u shteron atyre vëmendjen dhe i bën më pak të aftë të mësojnë”, tha studiuesja Manon Collet, Universiteti i Rennes.

Sipas saj, studimi nuk mund të vërtetojë lidhjen direkte të shkakut dhe efektit, por krijon një lidhje statistikore të caktuar, të forcuar nga rezultatet e hulumtimit mjekësor tashmë të botuar.

Studimet kanë treguar se fëmijët e vegjël të ekspozuar ndaj ekraneve kanë më pak bashkëveprim emocional me ata rreth tyre, që është i nevojshëm për zhvillimin e tyre psikomotor, në veçanti zhvillimin e gjuhës.

Në Francë, zhvillimi i gjuhës te fëmijët vlerësohet nga mjekësia shkollore në moshën 4 vjeç. Studimet franceze kanë treguar se 4 deri në 6 % e fëmijëve kanë çrregullime bazë gjuhësore.(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb