TIRANE – Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i cili do të mblidhet të hënën në mesditë, pritet të shoqërohet me debate të ashpra, pasi do të diskutohet qëndrimi i deputetit të qarkut Shkodër, Tom Doshit.

Gjatë javës, deputeti Doshi kritikoi performancën e disa ministrave të kabinetit qeveritar, kryeministrin Rama, akuzoi drejtueset e dy drejtorive të rëndësishme në vend, atë të Tatimeve dhe Doganave.

Këto pakënaqësi nga deputeti Doshi u bënë brenda grupit parlamentar, por që u publikuan në media me detaje, duke bërë që një ditë më pas, të mërkurën kryeministri Edi Rama të mbledhë një grup deputetësh, dhe i cilësoi personale dhe të pabaza akuzat dhe pakënaqësitë e Doshit.

Po të enjten, para se të hynte në seancën plenare, deputeti Doshi vazhdoi më tej me akuzat e tij ndaj Ramës, duke e cilësuar “bukëshkalë.” Duke argumentuar qëndrimin e tij, Doshi u shpreh se asgjë nuk është personale, por shqetësime të bazës. Më tej ai tha se “nuk ka më paqe mes tij dhe Edi Ramës, dhe nëse ai flet, do të tunden themelet e qeverisë dhe mazhorancës”.

Por nuk mjaftoi me kaq, sapo hyri në seancë ditën e enjte, nga gjestikulacionet e bëra dukej hapur një luftë mes tij dhe shefit të qeverisë. Menjëherë ndërhyri për ta zbutur këtë situatë deputeti Koço Kokëdhima, i cili pas disa minutash bisedë me Tom Doshin, u panë të dilnin të dy nga salla e Kuvendit, dhe për të drekuar bashke. Nuk dihet biseda mes Doshit dhe Kokëdhimës gjatë drekës, edhe pse ky i fundit e cilësoi drekë mes miqsh, pa ndonjë simbolikë të veçantë.

Doshi bëri një sqarim për elektoratin dhe qytetarët, ku thoshte se akuzat që ka bërë ndaj qeverisë, janë thjesht për ta, dhe aspak ndonjë aspekt personal i tij. Ndërkohë të shtunën në mbrëmje, Deputeti Tom Doshi ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, një takim i tensionuar sipas të pranishmëve. Ky takim vjen pas deklaratave të ministrit Tahiri, sipas të cilit akuzat e Doshit ishin shpifje të nivelit Berisha. Në sinkron me qëndrimin e Tahirit ishte dhe deputeti i Shkodrës, Namik Kopliku.

E hëna pritet të një ditë e tensionuar në kampin socialist. Mbledhja e grupit parlamentar ka tërhequr vëmendjen e të gjitëhve, për të parë se si do të zhvillohen ngjarjet.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: