Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka kërkuar falje për një postim në Facebook, në të cilin ajo krahasoi foton e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç në një takim me Presidentin amerikan Donald Trump me një skenë nga filmi “Basic instinct”.

Sidoqoftë, zonja Zakharova nuk e humbi rastin për të goditur Shtetet e Bashkuara.
“Kërkoj falje, por postimi im u keqinterpretua! E vetmja gjë që u mbajt në të ishte refuzimi ndaj qëndrimit arrogant të ‘të jashtëzakonshmit’.”

Maria Zakharova
Maria Zakharova

“Truket e protokollit janë bërë një nga teknikat që zyrtarët amerikanë përdorin rregullisht për të krijuar artificialisht dukshmërinë e ekskluzivitetit të tyre. Dhe kjo është e papranueshme”, shkruante zëdhënësja ruse.

Zonja Zakharova duket se e përçmoi zotin Vuçiç në një koment të mëparshëm në Facebook, duke thënë se ai ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë për t’u marrë në pyetje.

“Nëse ju kanë ftuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe karrigia është vendosur sikur të ishit duke u marrë në pyetje, uluni si në foton numër 2. Kushdo që të jeni. Më besoni”.

Zakharova
Zakharova

Komenti i saj zemëroi zotin Vuçiç dhe zyrtarët e tjerë serbë.

“Primitivizmi dhe vulgariteti që ajo tregoi flet për veten e saj, por edhe për ata që i kanë dhënë asaj punë”, tha zoti Vuçiç për Pink TV, një stacion pro-qeveritar.

Ai tha gjithashtu se gjatë vizitës javën e kaluar në Uashington ai mbrojti lidhjet e ngushta të Serbisë me Moskën, duke përfshirë kundërshtimin e tij ndaj sanksioneve perëndimore kundër Moskës mbi Ukrainën dhe një blerje armësh nga Rusia.

Marko Gjuriç, një zyrtar me partinë në pushtet të zotit Vuçiç, shkruajti në Twitter për ta mbrojtur zotin Vuçiç.

“Ky president nuk tha asnjë fjalë të keqe kundër Rusisë, madje as në atë vend (në Shtëpinë e Bardhë.) … Unë nuk do t’ju lejoj të sulmoni Serbinë krenare. Turp të keni!”

Gjuric
Gjuric

Zyra e presidentit serb tha të dielën se shefi i zonjës Zakharova, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, foli me zotin Vuçiç, duke theksuar “lidhjet sinqerisht të ngushta” midis dy vendeve.

Ndërsa kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nën Presidentin Vuçiç ka ndërtuar lidhje të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.

Zoti Vuçiç ishte në Uashington javën e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara me Kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.

Zoti Vuçiç dhe zoti Hoti vlerësuan marrëveshjen si një hap të rëndësishëm përpara.
Presidenti Trump, i cili gjithashtu nënshkroi dokumentin në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë të premten (4 shtator), e quajti marrëveshjen “historike”, duke thënë se “pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe viteve negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen”./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb