Riatdhesohen 72 shtetas shqiptarë që jetonin ilegalisht në Francë dhe në Angli. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se sot në Rinas kanë ardhur dy chartera me shqiptarë të deportuar.

NJOFTIMI I POLICISE
Vijon riatdhesimi i shtetasve shqiptarë, të cilët janë kapur duke qëndruar në mënyrë të parregullt në Angli dhe Francë, apo që e kanë përfunduar kryerjen e dënimit, për vepra të ndryshme penale, në këto shtete. Gjatë 2 ditëve të fundit, në Rinas, në kuadër të operacionit për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që gjendën në situatë të parregullt në territorin britanik dhe në atë francez, kanë mbërritur, me 2 avionë charter nga Anglia dhe Franca, 72 shtetas shqiptarë të kategorisë “Deportiv”.

Në charter-in e parë që mbërriti nga Anglia, ndodheshin 24 shtetas shqiptarë, nga të cilët 21 shtetas shqiptarë që e kanë përfunduar vuajtjen e dënimit në territorin britanik, për vepra të ndryshme penale të kryera atje dhe 3 shtetas të tjerë, për qëndrim të parregullt në Angli. Këta shtetas, pasi iu nënshtruan procedurave të intervistimit dhe verifikimit, u lanë të lirë.

Ndërsa në charter-in e dytë që mbërriti nga Franca, ndodheshin 48 shtetas shqiptarë, të cilët ishin me qëndrim të parregullt ne territorin francez, disa prej tyre janë kapur në tentativë për të shkuar në Angli, dhe të tjerët janë shtetas që e kanë përfunduar vuajtjen e dënimit, per vepra te ndyshme penale të kryera në Francë.

4 prej shtetasve të kthyer “Deportiv” nga Franca, në përfundim të hetimeve, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb