Pasi qëndruan 26 ditë të ngujuara, naftëtarët e rafinerisë së Ballshit kanë lënë sot grevën e urisë. Lajmi u konfirmua nga gazetari i ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Ervis Kuçi.

Ky vendim vjen pas thirrjes së kryeministrit dje për dialog, ndërsa ai sot do të zhvillojë një takim me naftetarët, për të diskutuar nga afër për gjetjen e një zgjidhje për kërkesat e tyre.

Mësohet se mes palëve është rënë dakord për t’u ulur në takimin në fjalë. Ndërkohë, gratë nga ana tjetër kanë paralajmëruar se nëse nuk do të zgjidhen kërkesat e tyre, ato do të ndërmarrin sërish hapa të tjera.

Gratë naftëtare kane lënë mjediset ku qëndruan për shumë ditë me radhë rreth orës 10, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së kryeministrit për negociata vetëm në rast se ato do te hiqnin dore nga qëndrimi në greve urie. Naftëtaret u pritën me duartrokitje nga kolegët dhe familjarët e tyre jashtë godinës.

Naftetarët kërkojnë që të zbatohet vendimi i gjykatës për marrjen e pagave të prapambetura e më pas të vijojnë bisedimet për vazhdimësinë e punës në uzinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb