Qeni robot Morti mësoi të ecë në një orë, duke mposhtur kohën që merr zakonisht një këlysh qeni, i cili mund të ecë dhe të vrapojë vetëm pas disa orësh.

E gjitha kjo falë palcës së tij kurrizore virtuale, një program kompjuteri, i ndërtuar sipas modelit të kafshëve dhe që nuk merr asnjë edukim fillestar. Kjo do të thotë se ai nuk e njeh paraprakisht anatominë e robotit dhe mëson gjatë rrugës, ashtu si një qenush.

Rezultati, i publikuar në revistën Nature Machine Intelligence, u mor nga grupi i Felix Ruppert, i institutit gjerman Max Planck dhe gjithashtu hedh një dritë të re mbi biologjinë e kafshëve.

Kafshët lindin me rrjete të koordinimit të muskujve të vendosura në palcën kurrizore. Megjithatë, të mësuarit për të koordinuar saktësisht muskujt dhe tendinat kërkojnë kohë. Këlyshët fillimisht mbështeten shumë në reflekset më themelore, të cilat ndihmojnë kafshën gjatë përpjekjeve të para për lëvizje, ndërsa më vonë kontrolli më i avancuar i muskujve kërkon pak më shumë kohë përsosjeje. Tani, dy studiues të udhëhequr nga Felix Ruppert kanë ndërtuar një robot me katër këmbë që mëson të ecë në të njëjtën mënyrë.

Palca virtuale kurrizore e robotit është simuluar nga një program kompjuteri i vendosur në atë që do të ishte shpina e qenit. Të dhënat e mbledhura nga sensorët e vendosur në këmbë krahasohen vazhdimisht me ato të ofruara nga programi, i cili nuk e di se si është bërë pajisja. Nëse roboti ecën, algoritmi përshtat dhe modifikon lëvizjet, derisa ecja të bëhet me e qëndrueshme.

Morti gjithashtu konsumon vetëm 5 vat fuqi për të ecur, ndryshe nga robotët e tjerë katërkëmbësh që kanë nevojë për dhjetëra apo edhe qindra vat, për shkak të energjisë së konsumuar nga sistemet më komplekse të kontrollit, të cilat njohin saktësisht gjeometrinë e trupit të robotit dhe mënyrën se si ai punon.

(Ansa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: