TIRANE- Andi Bejtja duket se nuk i ka shumë mirë marrëdhëniet me Andi Bushatin. Ai ka replikuar me Bushatin, pas një interviste të këtij ditën e djeshme, ku shprehej se gazetarë qeraxhinj janë dëshmitarë të çarjes mes Ramës dhe Metës.

Në një intervistë të dhënë Çim Pekës, që e pyet nëse është pikërisht ai gazetari qeraxhi, Bejtja më shumë se sa Pekës, i përgjigjet Bushatit.

“Nuk ka shumë rëndësi, sidomos për lexuesin e nderuar të portalit tuaj, nëse jam apo nuk jam unë gazetari qiraxhi në Lalëz, pasi mund të ketë dhe të tjerë dhe unë kaloj aq pak kohë këtu dhe nuk e kam atë vëmendje kush hyn e kush del, e aq më tepër të shikoj se çfarë bën Ilir Meta kur e pyesin për marrëdhëniet me Edi Ramën: ha fara apo pi ujë. E them këtë se më është bërë kjo pyetje qesharake, jo nga gazetarë qiraxhinj, po nga gazetarë seriozë pronarë vilash në Qerret që shpeshherë e mbajnë punën duke bërë thjesht hinkën e fjalëve dhe thashethemeve mes liderëve në këtë fshat të madh që quhet Shqipëri. Nuk kemi ç’bëjmë fatkeqësisht këtu është katandisur një pjesë jo e vogël e tregut të gazetarisë shqiptare.

Nga ana tjetër, është e vërtetë ajo që keni konstatuar ju, që ka sens pexhorativ në përdorimin e termit gazetar qiraxhi nga ana e Bushatit, por kjo nuk ka si të përbëjë shqetësim për mua, apo për këdo tjetër që me punë të ndershme dhe pa dallavere, nuk ka mundur dot të blejë një vilë në Qerret apo Lalëz. Përkundrazi duhet të përbëjë problem për atë gazetar që e ka këtë mentalitet. Grekët thonë “puno që të jetosh, vidh që të kesh”.

Rasti im dhe i shumë qiraxhinjve të tjerë është i qartë. Uroj, që Bushati mos ta ketë mentalitet: së pari duke besuar atë që kam parë dhe herë të tjera: që është një gazetar që nuk ka marrëdhënie të mira me shqipen, këtë e vërteton dhe në intervistën e djeshme, ku fjalën dëshmitar e përdor jo në mënyrë adekuate: pasi nuk kam parë ndonjë dëshmitar audio që dëshminë e ngrenë dëshminë mbi fjalë të protagonistëve apo atyre që rrinë afër, për më tepër me fjalë që i hapin enkas vetë, pikërisht për të bërë gazetarë si Bushati, të bëjnë këto lloj analizash.

Këtë herë, mund të mos ketë dhe shumë faj se dhe Batoni mund të ketë kaluar ca ditë për pushime nga Qerreti.

Nejse, që ta mbyllim kapitullin e qiraxhiut, këtë herë nuk kam asnjë ndjejnë negative ndaj malinjitetit të vazhdueshëm të tij, pasi këtë herë ai nuk është vetëm ai që ma qan hallin dhe më përbuz për faktin e të qenit qiraxhi, po është dhe një njeri shumë i dashur për mua: gruaja ime. Po ndërsa, gruan e kuptoj që ka hallin e kalamajve të vet, Bushatin nuk e kuptoj, hallin e kujt qan.
Meqë jemi dhe te Bushati dhe të LSI. Ka disa, kryesisht gazetarë frankofonë që në mënyrë naive dhe paragjykuese, LSI­në e shohin si të keqen e vetme të progresit të këtij vendi, e artikulojnë aq shumë dhe aq pa argumente, saqë i është shndërruar tashmë në çështje psikike. Dhe duke ndodhur ky proces, mendojnë se sapo të ikë Meta nga pushteti, këtyre do tu përmirësohet jeta seksuale apo do fillojnë të flasin automatikisht rrjedhshëm anglisht.

Për më tepër, është një tezë që ushqehet fuqishëm këto momente si nga pushteti, që po dëshmon dita ditës paaftësinë për të qeverisur këtë vend, por ashtu edhe nga një pjesë e opozitës që rri dhe vështron ngërçin e vet, duke pyetur dhe njëri­tjetrin se ku është lideri i tyre këtë gusht. Pra, është më shumë një histori shqiptare që kërkon tja hedhë fajin të tjerëve e jo vetvetes. Është më shumë një histori shqiptare, se sa një histori politike.

Ndaj, në këtë kontekst nuk ka si mos dalin fjalët për një koalicion të mundshëm PS­PD, por të jeni të sigurtë bashkimi i dy ngërçeve nuk ka si të sjellë një zgjidhje, përkundrazi. E zëmë se iku Ilir Meta dhe Bushati filloi të flasë rrjedhshëm anglisht, a do ti realizojë Edi Rama të ardhurat nga tatimet dhe doganat. Jo, sepse përveç të tjerave, se ky dështim që po i ndodh, nuk po i ndodh nga korrupsioni, po nga paaftësia e mbi të gjitha nga konceptet e gabuara ekonomike që ka zgjedhur, që stimulojnë evazionin dhe prishin tregun. E zëmë se iku Ilir Meta nesër a do ta bëjë Edi Rama shëndetësinë falas? Jo, vëlla, nuk ka lidhje me Ilir Metën dhe as me Perëndinë. Thjesht nuk bëhet me mjekë që marrin 400­500 USD në muaj dhe me buxhetin e një komune. E kështu me radhë, për të mos u zgjatur më tej.

A ka krisje PS­LSI? Unë nuk bazohem në ato që dëgjoj qoftë nga protagonistët, qoftë nga sekserët, po nga veprimet publike. PS, LSI po dëshmojnë se kanë qëndrime të ndryshme që nga tenda e kryeministrisë e deri te taksat. Sa e thellë, sa do zgjasë a do ndahen ? Nuk e gjej dot tani për tani. Ilir Metën sa herë e kam hasur dhe këtu në Lalëz, nuk e kam dëgjuar të flasë ndonjëherë për Edi Ramën, apo Lulëzim Bashën, po vetëm për ekonominë”, thotë Bejtja.

Marrë nga “Tema”

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: