TIRANE- 2 milionë euro do të paguajë qeveria shqiptare për të gjetur një firmë avokatore që të mbrojë shtetin shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar përballë sipërmarrësit italian, Francesco Becchetit.

Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Energjisë të paguajë shumën. Me një vendim qeverie të 9 dhjetorit 2015 eshte përcaktuar edhe studio e avokatisë që do të mbrojë Shqipërinë.

Becchetti akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën si edhe për krijimin e skemave mashtruese me qëllim përfitimin e paligjshëm të parave. Gjithashtu, akuzohet edhe për pastrim parash, së bashku me një nga ortakët e tij, De Renzi. Mbi Mauro De Renzis rëndon një tjetër akuzë për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, për mospagim taksash, si dhe për kontrabandë shkak detyrimet doganore.

VENDIM
Nr. 1110,
datë 9.12.2015
PËR PËRCAKTIMIN E MINISTRISË SË ENERGJISË DHE INDUSTRISË, SI ORGANI I INTERESUAR, DHE AUTORIZIMIN E SAJ PËR TË LIDHUR SHTESË KONTRATE, NËPËRMJET AVOKATURËS SË SHTETIT, ME FIRMËN AVOKATORE “WRAGGE LAËRENCE GRAHAM & CO LLP”, PËR PËRFAQËSIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË ÇËSHTJET E ARBITRAZHIT NDËRKOMBËTAR KUNDËR HYDRO S.R.L., CONSTRUZIONI S.R.L., FRANCESCO BECCHETTI, MAURO DE RENZIS, STEFANIA GRIGOLON DHE LILIANA CONDOMITTI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 7, 5, pika 1, shkronja “b”, 12, pikat 2 e 6, 15, pika 8, e 18, pika 2, të ligjit nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, me
propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Përcaktimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si organin e administratës publike të interesuar në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Hydro S.R.L., Construzioni S.R.L., Francesco
Becchetti, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti.
2. Autorizimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë që, nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, të lidhë shtesë kontrate, me firmën avokatore “Wragge Laërence Graham & Co LLP”, e cila është përzgjedhur nga Avokatura e Shtetit përmes një procedure konkurruese për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në dy
çështje arbitrazhi ndërkombëtar, të inicuara nga persona fizikë ose juridikë, pjesëtarë të grupit Beçhetti.
3. Shtesa e kontratës të rregullojë përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Hydro S.R.L., Construzioni S.R.L., Francesco Becchetti, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti.
4. Shpenzimet për pagesën e firmës avokatore ndërkombëtare, në vlerën 1 950 000.00 (një milion e nëntëqind e pesëdhjetë mijë) euro, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Një pjesë e vlerës prej 750 000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh të përballohet, ashtu sikundër parashikohet në kontratën për ofrimin e shërbimeve ligjore, e lidhur ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, e përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, dhe firmës avokatore ndërkombëtare “Wragge Laërence Graham & Co LLP”, nga buxheti i vitit 2015. Shuma e mbetur të përballohet nga buxheti i shtetit i viteve 2016 dhe i viteve të mëpasshme, në varësi të procedurave të arbitrazhit ndërkombëtar, sipas rregullave të të cilit gjykohen mosmarrë­ veshjet me palë Republikën e Shqipërisë.
5. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: