Nga DARINA TANUSHI*

Qeveria është tërhequr dje përballë protestës së banorëve të lagjes “Kushtrimi” në Vlorë. Burime zyrtare nga ekzekutivi pohuan dje për mediat se pas tubimit me arkivolë kundër qeverisë dhe kryeministrit, Edi Rama që është edhe deputet i Vlorës, është vendosur të jepet një fond prej 5.1 mln USD për të shpronësuar familjet e lagjes “Kushtrimi” që do të preken nga ndërtimi i autostradës, si zgjatim i rrugës Trans-Ballkanike që lidhet me të. Ndërkohë bëhet e ditur se fondi i qirasë për ata që nuk kanë shtëpitë e tyre të jetë 200 mijë dollarë.

MINISTRIA
Ministria e Zhvillimit Urban reagoi dje pas protestave të banorëve të lagjes “Kushtrimi” në Vlorë, duke sqaruar se qeveria ka marrë një vendim për të shpronësuar sipas ligjeve në fuqi pronarët e disa banesave me leje ku do të kalojë rruga. Ndërsa përveç shpronësimit, qeveria ka ofruar qira për dy vitet e ardhshme për ato familje që i kanë banesat pa legalizim apo në proces legalizimi. “Qeveria Shqiptare ka marrë një vendim për të shpronësuar sipas ligjeve në fuqi pronarët e disa banesave ku do të kalojë rruga që do të lidhë qytetin e Vlorës me rrugën nacionale. Bëhet fjalë për një segment rrugor që do të nxisë turizmin dhe zhvillimin ekonomik jo vetëm në Vlorë, por edhe në të gjithë zonën jugore të Shqipërisë”, thuhet në sqarimin e ministrisë. “Qeveria shqiptare përveç shpronësimit të pronarëve të ndërtimeve me leje, ka ndërmarrë edhe një hap më shumë me karakter social, duke ofruar qira për dy vitet e ardhshme për ato familje, të cilat jo vetëm kanë ndërtuar pa leje, por edhe nuk i kanë ndërtimet e tyre të legalizuara apo në proces legalizimi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Zhvillimit Urban. Ministria bëri thirrje se politizimi i projektit të rrugës është kundër interesave të qytetit dhe banorëve. “Teksa ndërtimi i rrugës i shërben zhvillimit të mëtejshëm të Vlorës, politizimi i këtij projekti dhe hapave që qeveria po ndërmerr shkon kundër interesave të qytetit dhe banorëve të saj”.

DEPUTETI I LSI
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami u dhe dje një lajm të mirë banorëve të lagjes “Kushtrimi” në Vlorë, të cilët prej disa ditësh kanë protestuar, pasi shtëpitë e tyre do të prishen për të bërë rrugën Trans-Ballkanike. Selami, në një takim me disa prej banorëve që edhe dje protestuan, tha se është shtyrë afati për prishjen e këtyre banesave, ndërsa po shqyrtohet mundësia për t’i dhënë një zgjidhje më të arsyeshme situatës. Deputeti i LSI-së për Vlorën tha se ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje, duke vendosur shtyrjen e prishjeve të banesave deri në gjetjen e një zgjidhjeje. “Vendimi për prishjen e banesave në lagjen ‘Kushtrimi’ është shtyrë përkohësisht. Do shikohet mundësia e zgjidhjes së situatës. Për këtë kam komunikuar me kryeministrin Rama. Ata banorë që kanë certifikata pronësie do marrin paratë e shpronësimit, ndërsa për banorët e tjerë do paguhet qiraja për 2 vite”, tha deputeti i LSI-së gjatë takimit që pati me një përfaqësi të banorëve të lagjes “Kushtrimi”. Banorët protestuan dje kundër prishjes së banesave, të cilat janë ende në proces legalizimi dhe i kërkuan kryeministrit Rama shpronësimin për to.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb